“Presidenti ka kërkuar trajtimin e rasteve që kanë përfunduar” – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Presidenti ka kërkuar trajtimin e rasteve që kanë përfunduar”

    Insajderi
    11 October 2016 - 19:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se do të trajtojë me seriozitet maksimal kërkesat e Hashim Thaçit, për krimet e luftës, mirëpo disa nga rastet që përmenden në letrat e Thaçit, sipas këtij institucioni, tashmë janë gjykuar.

    “Sidoqoftë, tërheqim vërejtjen se një pjesë e krimeve që supozohet se janë kryer, tashmë janë gjykuar nga gjykata kompetente dhe parimi NE BIS IN IDEM, parim ky i vendosur në dispozitën e nenit 4 të KPP-së, pamundëson hapjen e sërishme të hetimeve kurdoherë kur ato tashmë kanë marrë një epilog nga ana e një gjykate”, thuhet në njoftimin e zyrës së Prokurorit të Shtetit.

    Përmes një njoftimi për medie, Prokurori i Shtetit, sot ka konfirmuar, se dje ka pranuar katër shkresa nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, raporton Insajderi.

    Ky institucion thotë se kërkesat nga katër letrat e Thaçit, do të trajtohen dhe adresohen me seriozitet dhe përkushtim profesional e maksimal nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

    Zyra e Prokurorit të Shtetit thotë se ka filluar në muajin janar të këtij viti, hetimin e krimeve të luftës, të ndodhura në fshatet: Mejë, Dubravë, Qyshk, Lubeniq, Grashtica dhe Krusha e Madhe. Ka thënë se janë lëndë në të cilat po punojnë prokurorët intensivisht për përfundimin e tyre.

    Presidenti Hashim Thaçi doli dje në një konferencë për media nëpërmjet të cilës tregoi se ka nisur katër letra në drejtim të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës së Kosovës, presidenti në letrën e parë ka theksuar nevojën për t’u marrë me krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës, në letrën e dytë ka kërkuar që vëmendje t’u kushtohet edhe shumë krimeve serioze të kryera menjëherë paslufte apo në vitet e mëvonshme.

    Ndërsa, në letrën e tretë, presidenti Thaçi ka kërkuar që gjithashtu vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe krimeve monstruoze, siç ishte përdhunimi i personave, veçanërisht i grave dhe vajzave gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999.

    E në letrën e 4-të  katërt, presidenti Thaçi ka thënë se ka inkurajuar Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, që vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe zbardhjes të së vërtetës për shkatërrimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore, religjioze dhe historike. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark