Opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në këtë seancë, ku do të betohet presidenti i ri, me arsyetimin se Thaçi nuk është unifikues dhe njëkohësisht me pjesëmarrjen e tyre do të legjitimoheshin shkeljet, siç thonë ata, me rastin e zgjedhjes së të parit të shtetit.
Zyrtarë të partisë më të madhe opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, thonë se do të kenë shumë aktivitete deri në ditën kur do të betohet Thaçi.
“Është shumë herët të diskutojmë për datën 7 prill, meqë kemi shumë aktivitete deri në atë datë. Opozita e bashkuar është duke u përqendruar maksimalisht në përgatitjet për tubimin në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë që mbahet të shtunën më 19 mars 2016 në orën 14:00, si dhe për protestën e radhës që mbahet në Prishtinë më 26 mars 2016”, ka thënë Adonis Tahiri, raporton Gazeta Express.