Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Ky i fundit nga dje po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë.
Në ditën e parë të vizitës së tij, Abazoviq është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe liderët e partive opozitare.
Me kryeministrin Kurti, ai ka nënshkruar marrëveshjen për aviacionin civil.
Pas takimit, Kurti dhe Abazoviq, janë deklaruar për media.
Kurti, ka deklaruar se ka rritje të shkëmbimit tregtar më Malin e Zi vitin e fundit si dhe gjatë vitit 2022 mbi gjysmë milionë qytetarëve janë regjistruar si hyrje dalje mes Kosovës e Malit të Zi.
“Marrëveshja për aviacionin civil është shumë e rëndësishme. Një kompani ajrore që ka fluturuar 4 herë në ditë me këtë marrëveshje e shton edhe një fluturim. Deri më tani korridoret shfrytëzoheshin vetëm për fluturimet ushtarake, derisa fluturimet komerciale nuk realizoheshin. Por, me marrëveshjen që nënshkruam sot hapet mundësia e fluturimeve për kompanitë ajrore.”- ka deklaruar Kurti.
Ndër të tjera, Kurti ka deklaruar se me homologun e tij nga mali i Zi, kanë biseduar edhe për bashkëpunimin në ndërtimin e rrugëve Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë si dhe ratifikim e marrëveshjes në kuadër të procesit të Berlinit nga Mali i Zi.