×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Presidentja Osmani-Sadriu e hapi javën e ndërmarrësisë në biznesin e nipit të Thaçit

    Insajderi
    16 November 2022 - 13:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Presidentja e ka hapur Javën Globale të Ndërrmarrësisë në SushiCo Kosova, biznesin që udhëhiqet nga Sinan Thaçi, nipi i ish-Presidentit Hashim Thaçi. Zyra e saj ka sqaruar për Gazetën Insajderi se lokacioni është zgjedhur nga organizatorët dhe se e para e shtetit aty ka qenë vetëm si mysafire.

    Gazeta Insajderi

    “Të rrethuar me vajza e djem të jashtëzakonshëm, ndërmarrës, mendje inovative e të guximshme, nga Prishtina i përçuam mesazh botës se kur flasim për ndërmarrësi, Kosova ka shumë për t’i dhënë e për t’i treguar botës”, tha Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu në hapjen e Javës Globale të Ndërrmarrësisë.

    Këto fjalë shefja e shtetit rastisi t’i thotë nga lokali SushiCo Kosova pronë e Sinan Thaçit, nipit të ish-Presidentit Hashim Thaçi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kjo ngjarje është organizuar nga Innovation Centre Kosovo (ICK) nën patronatin e Presidentes Vjosa Osmani-Sadriu.

    Zyra e të fundit ka sqaruar për Gazetën Insajderi se nuk ka njohuri kush e udhëheqë biznesin, dhe se e para e shtetit aty ka qenë vetëm si mysafire.

    “Zyra e Presidentes nuk ka njohuri se kush e udhëheqë biznesin ku është mbajtur njëri nga aktivitetet që lidhen me Javën Globale të Ndërmarrësisë, ndaj as nuk është konsultuar e as nuk ka vendosur për vendmbajtjen”, thuhet në përgjigjen e tyre, shkruan Gazeta Insajderi.

    SushiCo Kosova, biznesin e drejtuar nga nipi i Thaçit, thuhet se e kanë zgjedhur organizatorët.

    “Vendin e kanë zgjedhë organizatorët e Javës Globale të Ndërmarrësisë, teksa Presidentja Osmani ka qenë mysafire”, thuhet në përgjigjen e tyre, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kabinetit i Osmani-Sadriut tutje ka njoftuar se e ka mbështetur ICK-në në shtypjen e materialeve promovuese, por jo për lokacionin ku organizata jo qeveritare ka vendosur ta mbajë hapjen.

    “Pra, është subvencionuar Java Globale e Ndërmarrësisë, por jo vendi i mbajtjes së saj. Rrjedhimisht Presidenca nuk ka paguar asnjë cent për lokacionin ku është mbajtur Java Globale e Ndërmarrësisë”, vazhdon sqarimi i Presidencës.

    Precidenca dhe ICK në hapjen e Javës Globale të Ndërrmarrësisë | Foto: Presidenca e Kosovës, Facebook

    ICK: Lokalin e kemi përzgjedhur për shkak të lokacionit dhe parkingut të mjaftueshëm

    Uranik Begu, drejtori ekzekutiv i ICK, ka treguar pse e kanë zgjedhur biznesin e familjes Thaçi për ta nisur Javën Globale të Ndërrmarrësisë.

    “ICK ka përzgjedh lokalin për shkak te lokacionit të përshtatshëm për të pranishmit dhe parkingut që ka”, ka thënë Begu për Gazetën Insajderi.  

    Ai tutje ka thënë se organizata që e udhëheqë nuk ka qenë në dijeni se kush është pronari i lokalit ku e kanë mbajtur hapjen, dhe as me kënd është i afërt.

    “ICK nuk është në dijeni se kush është pronar dhe me kënd është i afërt, ne fokusohemi tek oferta dhe lokacioni ,dhe gjitha diskutimet rreth përgatitjes i kemi realizuar me menaxherin e lokalit dhe jo pronarin”, ka sqaruar tutje Begu, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ai ka treguar Java Globale e Ndërrmarrësisë është organizuar vetëm nga ICK si nikoqir për 10 vjet, ndërsa ka zbuluar se përpos Presidencës, sivjet kanë pasur edhe mbështetës të tjerë si Ambasada Suedeze, Helveta, Coca Cola, EBRD dhe të tjerë.

    Precidenca dhe ICK në hapjen e Javës Globale të Ndërrmarrësisë | Foto: Presidenca e Kosovës, Facebook

    Në biznesin e nipit të Thaçit, Sinanit, është mbajtur vetëm hapja e Javës Globale të Ndërrmarrësisë, derisa aktivitetet tjera do të zhvillohen në ambiente të tjera.

    Gazeta Insajderi i ka shkruar biznesit SushiCo Kosova për ta pyetur mbi marrëveshjen që kanë arritur me ICK-në për mbajtjen e aktiviteti hapës në ambientet e saj, por nuk ka kthyer përgjigje.

    SushiCo Kosova vepron në Prishtinë që nga themelimi i saj në vitin 2018./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark