
Në vitin 2011, kishte qenë hera e fundit kur princi i Serbisë, Aleksandër Karagjorgjeviq, kishte vizituar Kosovën, saktësisht Gazimestanin, me rastin e 618 vjetorit të Betejës së Kosovës.
Ai kishte kryesuar deklaratën e ashtuquajtur “Deklarata e Vodovdanit” me të cilën sipas pjesëmarrësve, konfirmohet vullneti i serbëve se Kosova gjithmonë do të jetë tokë serbe.
Madje princi i serbëve Aleksandër Karagjorgjeviq, kishte kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të mos ta shtyjnë përpara pavarësinë e Kosovës sepse Kosova është tokë serbe. Madje gjatë fjalimit të tij, ishte bërë nervoz me serbët e pranishëm duke bërë skandal pasi i urdhëroi ata për qetësi.
Por Aleksandër Karagjorgjeviq, ka zbutur fjalët për Kosovën.
Në një intervistë për AFP-në, princi Karagjorgjeviq thotë se “Kosova është afër zemrës tonë” por insiston se familjet mbretërore tradicionalisht kanë qëndruar më larg politikës, raporton Insajderi.
Karagjorgjeviq ka thënë kështu për AFP-në duke folur për vizitën e ardhshme të Princit Charles dhe gruas së tij Camilla në Serbi.
“Kohët kanë ndërruar tani, tani Serbia dëshiron të bëhet pjesë e Evropës e të tregoj kulturën dhe historinë e saj”, tha Karagjorgjeviq, raporton Insajderi.
Princi Charles për herë të fundit në Serbi ishte në vitin 1978, kur ajo ishte ende pjesë e Jugosllavisë.
AFP shkruan sesi vizita e Princit të Uellsit javën e ardhshme do të përfshijë Kroacinë, Malin e Zi dhe Kosovën, pavarësinë e së cilës e kanë njohur shtetet e fuqishme si Britania dhe Amerika me aletatët e tyre, por Serbia ka kërkuar ndihmën e Rusisë në bllokimin e shtetësisë në Kombet e Bashkuara.
AFP shkruan se si princi serb njëherë ishte me Millosheviqin por më pas e kundërshtoi atë.
Por në fakt, Karagjorgjeviq nuk e ka ndërruar asnjëherë diskursin për Kosovën, deri më tani.
“Herën e vetme që Karagjorgjeviq ishte përfshirë në politikë, tha se kjo periudhë ishte gjatë kohës kur Serbia ishte e përfshirë në luftëra nën udhëheqjen e Slobodan Millosheviqit. Karagjorgjeviq më pas u rreshtua në krahun e opozitës demokratike”, shkruan AFP.
Familja mbretërore e Serbisë ishte rikthye të jetoj në Kosovë vetëm pas rënies së regjimit të Millosheviqit, në vitin 2000.
Aleksandër Karagjorgjeviq, siç raporton AFP, është famull Mbretëreshës së Britanisë, Elizabeta II dhe ka lidhje të ngushta me familjen mbretërore britanike, dhe se pritja e Princit të Uellsit dhe dukeshës Cornwall në Pallatin Mbretëror në Beogradit javën e ardhshme, ka domethënie të madhe personale për të.
“Për mua dhe familjen time, kjo është shumë e mirë. Marrëdhënia jonë është jetike” citohet të ketë thënë Karagjorgjeviq.
AFP jep edhe disa detaje të tjera që e lidhin princin e Serbisë me princin Charles.
Karagjorgjeviq ka lindur në vitin 1945 nga një princeshë greke që jetonte në hotelin Claridge në Londër, kur familja mbretërore serbe – e cila vendosi të largohej nga Jugosllavia në atë kohë – u internua në Angli, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qeveria e kryeministrit Winston Churchill, e deklaroi suitën 212 si territor jugosllav për faktin që fëmija i porsalindur të mund të pretendonte fronin mbretëror një ditë.
Por, pas Luftës së Dytë Botërore komunistët morën pushtetin në Jugosllavi, hoqën monarkinë dhe po ashtu familjen mbretërore nga froni. Princi Karagjorgjeviq kishte jetuar jashtë vendit, duke u shkolluar në Zvicër, Britani dhe Shtetet e Bashkuara.
Karagjorgjeviq i ka thënë AFP-së, se ai dhe Princi Charles shkuan në të njëjtën shkollë së bashku, në Gordonstoun të Skocisë.
Princi Charles ishte dy vjet më i ri, por “ne ishim bashku, dhe ai ishte një njeri i madh ta njihnit”, shtoi Karagjorgjeviq, i cili e përshkroi Princi Charles si një person shumë të kujdesshëm.
“Ka ekzistuar si dëshirë disa vite më parë për ardhjen e Princit të Uellsit do të vinte në Serbi, dhe unë ia kam përmendur këtë atij,” kujton Karagjorgjeviq. “Ideja ishte se ai do të vinte këtu për të skijuar në alpet e Kopaonik-ut që Princi i pëlqen shumë.”