Prishtina alarmon BE-në për rrezikun nga shtrirja e ndikimit rus në Kosovë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Prishtina alarmon BE-në për rrezikun nga shtrirja e ndikimit rus në Kosovë

    Insajderi
    23 December 2016 - 18:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Autoritetet në Kosovë tërheqin vërejtjen se ka sinjale që dëshmojnë për rrezikun e shtrirjes së ndikimit rus në Kosovë. Për këtë arsye, institucionet shtetërore të Kosovës janë ftuar të jenë sa më vigjilente, për çka është informuar edhe Bashkimi Evropian.

    Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vendosja ilegale e pikave të shitjes së derivateve nga ana e Industrisë së Naftës së Serbisë në veri të Kosovës, paraqet një nga përpjekjet për rritjen e këtij ndikimi.

    “Ne jemi duke parë sinjale të rrezikshme. Sinjalet më të fuqishme ndërlidhen me faktin që Rusia ka një lidhje të veçantë me Serbinë, madje ka edhe një qendër ushtarake në Nish, që është afër kufirit me shtetin e Kosovës. Por, kohët e fundit ka provuar që të fus një lloj ndikimi përmes derivateve të naftës në veri të Kosovës“, ka thënë Tahiri.

    Në vitin 2008, Serbia i ka shitur pjesën më të madhe të pasurisë së Industrisë së Naftës, Gazpromit rus.

    Ministrja Tahiri thotë po ashtu se institucionet e Kosovës dhe rajoni, duhet të jenë të kujdesshme dhe të kenë strategji për të kundërshtuar dhe luftuar këto tendenca, sipas saj, tejet negative.

    Kosova, thekson Tahiri, ka orientim pro-perëndimor dhe pro-evropian dhe ka përkrahur vendosjen e embargos ndaj naftës ruse, si dhe ka kundërshtuar aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë.

    Kosova dhe Shqipëria, thekson Tahiri, janë shtetet e dëshmuara që janë vënë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe perëndimit.

    “Unë besoj se politikat strategjike të NATO-s ia kanë mbyllur rrugën Rusisë që të ketë dalje në Detin Adriatik, për faktin që rripi i NATO-s tashmë e mbulon gjithë bregun e Adriatikut prej Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Shqipëri dhe Greqi, çka është shumë pozitive. Pra, Rusia nuk ka mundësi që të ketë qasje në Detin Mesdhe. Mendimi im është se përkundër agresivitetit rus, ndikimi i Rusisë mund të përfundoj vetëm brenda shtetit të Serbisë“, është shprehur Tahiri.

    Se a kishte edhe përpjekje tjera të shtrirjes së ndikimit rus në Kosovë, nuk bëhet e qartë. Por, ajo që dihet është se në veri të Kosovës, ku katër komunat përbëhen nga popullata shumicë serbe, ka organizata të cilat angazhohen për fuqizimin e bashkëpunimit me Rusinë.

    Janë të paktën dy organizata të tillë, të cilat janë të regjistruara në Beograd, por që funksionojnë në veri të Kosovës.

    Shoqata “Vatra e Kosovës“, prezantohet se ka 1 mijë anëtarë, kurse si qëllim e ka thellimin e bashkëpunimit humanitar dhe forcimit të marrëdhënieve kulturore me Rusinë.

    Po ashtu, edhe shoqata e solidaritetit serbo-sllave për “Kosovë e Metohi“ e Grigorie Stepanoviqit, e themeluar më 2010, prezantohet se ka rreth 200 anëtarë dhe ka të njëjtat synime.

    I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Verolub Petroviq, anëtar i shoqatës së miqësisë ruso – serbe, thotë se vite më parë, aktiviteti i vetëm ishte dërgimi i disa fëmijëve serbë në Rusi, por vizitat nga Rusia në Kosovë, sipas tij, janë të vështira për shkak të problemit të vizave.

    “Të jem i sinqertë, larg syve dhe larg zemrës, bashkëpunimi tash për tash është i njëanshëm, pra më shumë nga ana e jonë, sesa nga ana e tyre“, thotë Petroviq.

    Ndërkaq, shoqata e solidaritetit serbo-sllave, e formuar si organizatë jo partiake dhe joqeveritare, sipas kryetarit të saj, Momir Kasalloviq ka si qëllim vendosjen e solidaritetit mes popujve sllavë në nivelin global.

    Ai thotë se i ka vizituar ambasadat e vendeve sllave që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, për t’u treguar atyre pozicionin e serbëve të Kosovës lidhur me këtë vendim. Por, problemi qëndron te mungesa e mjeteve financiare, thekson ai.

    “Gjithçka përfundoi me dëshira të mira dhe fjalë të mira por nuk arritëm që konkretisht të bëjmë asgjë çka është për keqardhje“, thotë Kasalloviq.

    Kohë më parë, kishte edhe nisma tjera që synonin thellimin e bashkëpunimit me Rusinë, të cilat kryesisht promovoheshin në veri të Kosovës.

    Por, një nga nismat më serioze ishte ajo e iniciuar nga shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i cili me kreun e partisë së presidentit rus, Vladimir Putin dhe Kishën Ortodokse Ruse, lansuan projektin për kthimin e serbëve në veri të Kosovës, përmes ndërtimit të lagjes, “Lugina e diellit“.

    Ky projekt, ishte kundërshtuar nga Prishtina zyrtare, ngase ishte cilësuar si ilegal dhe pa lejen e institucioneve të Kosovës.

    Po ashtu, kishte kërkesa nga serbët e Kosovës që atyre t’u njihej shtetësia e dyfishtë serbo- ruse, por kjo kërkesë u ishte kundërshtuar nga Moska, për shkak të mungesës së ligjeve që e rregullonin këtë fushë. /REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark