Komuna e Prishtinës e ka anuluar tenderin për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore. Se ky tender ishte i dyshimtë, madje skandal, kishte alarmuar edhe ish-nënkryetarja e Prishtinës e shkarkuar nga kryetari Përparim Rama. Insajderi sjell detajet
Gazeta Insajderi
Nuk ofruan materiale mësimore konform kërkesave të tenderit. Këtë arsye e ka dhënë Komuna e Prishtinës që drejtohet nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për anulimin e tenderit mbi 300 mijë eurosh.
“Digjitalizimi i proceseve edukativo-arsimore-ritender” ishte shpallur nga kjo komunë, ani pse vërejtje u dhanë nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).
Publikisht e kishte denoncuar si skandal Ish-nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu.
“…me specifika e planifikim buxheti skandaloz”, ka shkruar Sahatçiu.
Të premten Komuna e Prishtinës ka vendosur që ta anuloi këtë tender.
“Komuna e Prishtinës rekomandon anulimi e aktiviteti : Gjate vlerësimit të ofertave kemi pa që ofertuesit nuk kanë ofruar materiale mësimore konform kërkesave te kurrikules se re të Republikës së Kosovës andaj si anëtar i komisionit vlerësuar rekomandoj që të anulohet ky aktivitet i tanishëm dhe të rishpallet prap me kërkesat me specifike”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga Visar Shehu, shef i tenderëve në Prishtinë.
Për këtë tender, siç pati raportuar Gazeta Insajderi, në garë ishin tetë kompani dhe shtatë nga to kanë ofertuar në të dyja lotet, siç është ndarë tenderi kurse vetëm një kompani ka ofertuar vetëm në një pjesë të tij.
Ish-nënkryetarja Sahatçiu pati përmendur që ishte ajo që nuk e nënshkroi dokumentin që ky tender të shkonte përpara, por këtë e bëri kryetari Përparim Rama.
“Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit”, pati shkruar ajo duke komentuar që sipas saj ky tender u bë me specifika e planifikim buxheti skandaloz.
Çka kishte thënë Auditori për këtë tender?
ZKA në raportin për vitin 2022 kishte bërë vërejtje sa i përket projektit për digjitalizimin e mësimit në shkollat në Kryeqytet, duke dhënë edhe një historik më shpenzim të parasë publike në këtë projekt e me dështime.
“Komuna kishte lidhur kontratë të negociuar për “Implementimin e platformës online për digjitalizim të shkollave”, në shumën totale për vit 174,000€, përkatësisht 14,500€ për muaj, platformë e cila është krijuar paraprakisht nga i njëjti operator ekonomik. Për këtë shërbim, Komuna ka pasur edhe dy kontrata paraprake gjatë vitit 2020 dhe 2021, ku kontrata e parë është lidhur në kohëzgjatjen prej pesë muajsh në shumën 41,500€, ndërkaq kontrata e dytë është lidhur për tetë muaj në vlerë prej 87,760€”, thuhet në raportin e auditorit.
ZKA konstaton se edhe pse u shpenzuan këto para publike, platforma dështoi.
“Për veç kësaj, platforma nuk ishte funksionale që nga dhjetori 2022, për shkak të skadimit të kontratës me Operatorin Ekonomik (OE). Për më tepër kodi burimor i platformës është në pronësi të OE.
Sipas zyrtarëve të Komunës, kjo kishte ndodhur si pasojë e mungesës së njohurisë për kërkesat të tilla. Prandaj, kjo tregon edhe mungesë të kontrollit nga Komuna, për procesin që nga inicimi i projektit, po ashtu, edhe në menaxhimin e platformës së kontraktuar, në mënyrë që kjo të jetë në funksion të vazhdueshëm”, thuhet në raport.
Rregullorja nr. 06/2018 për menaxhimin e projekteve në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, përcakton standardet dhe rregullat për inicimin, planifikimin, ekzekutimin, monitorimin dhe kontrollin për menaxhimin e projekteve në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Në nenin 6 përcaktohet që, për inicimin e projektit institucionet marrin pëlqimin paraprak nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).
Mirëpo, Komuna e Prishtinës nuk kishte marrë pëlqimin paraprak nga ASHI për inicimin e projektit, kërkesë kjo e Rregullores për menaxhimin e projekteve në fushën e Teknologjisë së Informacionit.
Gazeta Insajderi e ka pyetur këtë agjenci që kur u ri-shpall ky tender se a ka marrë leje tash, por e njëjta ende nuk është përgjigjur. /Gazeta Insajderi