×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Tetë kompani në garë për tenderin që ish-nënkryetarja e Prishtinës alarmoi për skandal

    Insajderi
    06 February 2024 - 17:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu alarmoi në publik për tenderin për digjitalizim të shkollave në Prishtinë. “…me specifika e planifikim buxheti skandaloz”, e komentoi ajo këtë tender, detaje nga i cili tender sjell Gazeta Insajderi.

    Gazeta Insajderi

    Në fillim të këtij viti Komuna e Prishtinës e drejtuar nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) shpalli një tender për digjitalizimin e shkollave.

    “Digjitalizimi i proceseve edukativo-arsimore-ritender” është projekt në të cilin Kryeqyteti planifikon që të shpenzoi mbi 330 mijë euro.

    E shkarkuar ditë më parë, në vazhdën e riformatimit të Kabinetit-siç po e arsyeton kryetari Rama, por si hakmarrje për aferën me këmbim pronash- siç po e interpreton PDK-ja, Donjeta Sahatçiu e ka denoncuar publikisht këtë tender.

    “…me specifika e planifikim buxheti skandaloz”, ka shkruar Sahatçiu.

    Në këtë tender, që ende është në fazat fillestare të tij, del që deri tash në garë janë tetë kompani dhe shtatë nga to kanë ofertuar në të dyja lotet, siç është ndarë tenderi kurse vetëm një kompani ka ofertuar vetëm në një pjesë të tij.

    Në dosjen e tenderit, deri tash të përditësuar nga Komuna e Prishtinës, përmendet edhe që kompanitë duhet t’i përmbushin specifikat teknike të kërkuara, por në po të njëjtën dosje nuk gjendet dokumenti i tillë. Pra, nuk është ngarkuar në platformë edhe ky dokument se çka po synon të blejë, shërbime e produkte ky institucion.

    Ish-nënkryetarja, ka përmendur që ishte ajo që nuk e nënshkroi dokumentin që ky tender të shkonte përpara, por këtë e bëri kryetari Përparim Rama.

    “Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit”, ka shkruar ajo duke komentuar që sipas saj ky tender u bë me specifika e planifikim buxheti skandaloz.

    Edhe pse e njëjta ka bërë këtë reagim publik, deri tash nga Kryetari Përparim Rama nuk ka pasur një koment publik kundrejt akuzave, po ashtu publike, të bëra nga Sahatçiu.

    Gazeta Insajderi ditë më parë raportoi që koalicioni PDK-LDK në Prishtinë po prishej pikëisht për shkak të aferës më shkëmbim pronash në Badoc.

    Edhe pse i pari i Kryeqytetit e interpretoi si riformatim të kabinetit të tij, tashmë ish-partneri, PDK-ja, po e sheh si hakmarrje të tij pikërisht pse u bllokua kjo nismë e tij, ndaj të cilës edhe Gjykata ka vendosur masë të përkohshme të sigurisë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark