×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Pritjes i erdhi fundi- Burbuqe Hana në heshtje e avancon vëllain në Telekom

    Insajderi
    14 August 2023 - 16:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Burim Hana, vëllai i kryeshefes së Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, duket se është afër shpërblimit me një pozitë të lartë në ndërmarrjen publike ku është funksionare motra e tij. Gazeta Insajderi mëson nga burimet e sigurta se ai është vlerësuar si i preferuari i komisionit përzgjedhës në pozitën e menaxherit në Departamentin “Analiza, Strategjia e Marketingut dhe Planifikimit”, duke lënë jashtë dy kandidatë të tjerë për të njëjtën pozitë.

    Komisioni përzgjedhës, i përbërë nga njerëz të deleguar nga kryeshefja Hana, ka lënë jashtë garës Fatmir Rushitin dhe Burim Krasniqin. Ky i fundit, sipas burimeve, është tërhequr nga gara përpara përzgjedhjes së Burim Hanës.

    Kundërkandidati i vëllait të Burbuqe Hanës, Fatmir Rushiti, ishte pjesë e departamentit të marketingut që nga 2015-a në Telekom. I njëjti ishte edhe i përzgjedhuri i ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë për drejtor të bordit në Infrakos.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Burim Hanën për ta pyetur për avancimin e tij në këtë pozitë, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm për mediumin.

    Mediumi po ashtu ka kontaktuar Rashitin që ta pyes nëse do të deponojë ankesë lidhur me këtë, mirëpo i njëjti s’ka pranuar të flasë.

    Sipas dispozitave ligjore, kandidatët kanë të drejtë prej 10 ditësh që të deponojnë ankesat e tyre.

    Për prononcim për çështjen e Burim Hanës është kontaktuar edhe ushtruesja e detyrës së menaxheres në Departamentit për Burime Njerëzore, Dhurata Bakallin, por as ajo s’ka pranuar të flasë për këtë.

    Insajderi kishte raportuar përpara disa javësh se Hana kishte aplikuar në këtë pozitë.

    Lidhur me kandidatin në fjalë dhe mundësinë e ndikimit të motrës së tij – Telekomi pati deklaruar për mediumin se një i punësuar nuk duhet të ketë privilegj, por as të pamundësohet të konkurrojë.

    “Lidhur me pyetjen konkrete për privilegjin/përfitimin e mundshëm të z. Burim Hana, nga fakti se motra e të njëjtit aktualisht është Kryeshefe Ekzekutive e TK, konsiderojmë se një i punësuar nuk duhet të ketë privilegj, por as të pamundësohet të konkurrojë apo zgjidhet në ndonjë përgjegjësi vetëm për faktin se ka familjarë në pozitë drejtuese në kompani”, u tha në përgjigjen e tyre.

    Ditë më parë është raportuar edhe për avancimin e Violeta Namanit, mikeshë e Burim Hanës, në pozitën e Menaxherit të Departamentit për Shitje dhe Kujdes me Konsumator Individual.

    Insajderi ka arritur ta konfirmojë afërsinë e Namanit me Burim Hanën, vëllain e kryeshefes ekzekutive, nëpërmjet një fotografie të përbashkët.

    Gazeta Insajderi raportoi po ashtu për emërimin e dy miqve të kryeshefes ekzekutive. Ekrem Cervadiku, pa eksperiencë menaxheriale, u avancua në pozitën e menaxherit kryesor të Departamentit të Burimeve Njerëzore në ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës ndërkaq Pranvera Shala, po ashtu pa përvojë menaxheriale, u avancua në pozitën e menaxheres në Departamentin e Marketingut. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark