Problemet teknike dhe etike, që paraqesin ”pasaportat e vaksinave” - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Problemet teknike dhe etike, që paraqesin ”pasaportat e vaksinave”

    Insajderi
    06 April 2021 - 09:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga Melinda Mills

    Mbaj mend mbrëmjen kur një bashkëpunëtor trokiti në derën e shtëpisë sonë, duke tundur një telefon dhe bërtitur me të madhe “Unë e kam marrë!”. Celulari i tij Android, ishte mënyra e vetme për të përdorur aplikacionin e qeverisë britanike, që i lejon qytetarët e BE-së të aplikojnë për statusin e rezidentit në Mbretërinë e Bashkuar pas Brexit.

    Pas disa batutave rreth ngarkimit të të dhënave të mia biometrike private në telefonin e tij, ne përfunduam aplikimin e tij, dhe ai u largua menjëherë. Ndërsa qeveritë në mbarë botën po mendojnë për pasaportat dixhitale të vaksinave, ajo mbrëmje mbetet ende në mendjen time.

    Pasaportat e vaksinave, janë në thelb certifikata që lidh provën e vaksinimit me identitetin e mbajtësit, një mekanizëm për t’iu rikthyer jetës tonë para-Covid-19.

    Para pandemisë, BE po punonte mbi planet për krijimin e certifikatave elektronike ndërkufitare, për të zëvendësuar broshurat prej letre që bartin nëpër duar shumë udhëtarë. Në samitin e kësaj jave të BE-së, disa udhëheqës bënë presion për hapa të mëtejshëm drejt krijimit të pasaportave të koronavirusit.

    Një raport i fundit i Shoqërisë Mbretërore që e drejtoj unë, propozoi 12 kritere të ndryshme që do të duhet të plotësohej, për t’i bërë të mundura pasaporta të tilla. Është një procedurë kompleks që kërkon kuptimin e gjithçkaje, nga imuniteti dhe infeksioni tek teknologjia, etika dhe faktorët e sjelljes.

    Por pyetja themelore duhet të jetë kjo:Për çfarë do të përdoret një pasaportë vaksine? Drejtuesi i aeroportit “Heathrow” në Londër, ka bërë thirrje për krijimin e certifikatave dixhitale të shëndetit, për të rinisur udhëtimet masive ndërkombëtare.

    Estonia dhe Islanda, po përdorin tashmë certifikatat elektronike të vaksinimit, për të udhëtuar jashtë vendit dhe për të qenë të përjashtuar nga karantina. Greqia po ushtron presion që BE-ja të lëvizë më shpejt, në drejtim të krijimit të një mjeti të tillë identifikimi.

    Ka precedentë të tillë si nisma e grupit të industrisë ajrore IATA. Por a do të kërkohen këto certifikata vetëm për udhëtime ndërkombëtare, apo mund të jenë të nevojshme edhe për të gjetur një punë, për të ndjekur në stadium një ndeshje futbolli ose qoftë edhe për të blerë qumësht në supermarket?

    Izraeli prezantoi kohët e fundit një leje të gjelbër, e paralajmëruar si “hapi i parë për kalimin në një jetë thuajse normale”. Ky dokument lejon hyrjen në palestra, kinema, hotele, dhe plotëson disa kritere teknike siç janë kredencialet e verifikueshme, transportueshmëria, siguria për të dhënat personale dhe ndërveprimi.

    Ajo është e vlefshme për 6 muaj pas dozës së dytë të vaksinës, dhe për “ata që janë shëruar nga koronavirusi”. Por kjo gjë mund të jetë problematike. Vaksinat aktuale të mbrojnë nga sëmurja rëndë, por ne ende nuk e dimë nëse ato e parandalojnë transmetimin e virusit, se sa shpejt zbehet imuniteti, apo nëse ato kompromentohen nga variantet e reja të Covid-19.

    Paralajmërimi i Izraelit për ndëshkimin e rëndë të atyre që e falsifikojnë këtë leje, është një tjetër kujtesë për atë që mund të shkojë keq. Pastaj është edhe çështja e zvarritjes së procesit. Kujtoni pak aplikacionin e hershëm dixhital të gjurmimit të kontaktit në Britani, që ngriti shumë shqetësime në lidhje me privatësinë, mbikëqyrjen e qeverisë, dhe ndarjen e të dhënave me sektorin privat.

    Të gjitha pasaportat e vaksinave, kanë potencialin t’i pengojnë njerëzit të blejnë mallrat dhe shërbimet më thelbësore, dhe t’i përjashtojnë ata që nuk kanë një mjet të tillë, apo që nuk kanë mundësi të blejnë një smartfon. Kriteret e Shoqërisë Mbretërore për një pasaportë vaksine të zbatueshme përfshinin barazinë, etikën dhe mosdiskriminimin.

    Kjo do të thotë se duhet të pyesim se kë do të përjashtonim? Ka një hezitim më të lartë ndaj vaksinave tek pakicat etnike, dhe dozat po shpërndahen sipas kriterit të moshës. Plus, disa njerëz janë plotësisht të përjashtuar: fëmijët, gratë shtatzëna dhe ata me alergji.

    Kartat e kreditit dhe të dhënat e mediave sociale, mbajnë një mori të dhënash mbi sjelljen dhe vendndodhjen e individëve, të cilat kompanitë i publikojnë rregullisht. Me pasaportat e vaksinave, kërkohet besim i madh tek qeveria, dhe kjo mund të fitohet vetëm përmes transparencës.

    Ekziston rreziku që qeveria të harxhojë kohë dhe para për të krijuar një sistem pasaportash, që në fund mund të bojkotohet nga publiku i tmerruar. Ndërkaq, ne nuk duhet të harrojmë se jemi të ndërlidhur globalisht. Kur të rifillojnë udhëtimet, vizitorët dhe punëtorët do të kalojnë kufijtë, dhe ata kanë nevojë për standarde globale siç është Certifikata e zgjuar Vaksinimit e OBSH.

    Por kjo mund të jetë një fushë e minuar në aspektin ligjor. Të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e të dhënave, duhet të peshohen përkundrejt detyrës së kujdesit dhe lirisë tregtare për të vepruar. Qeveritë mund t’i bëjnë të detyrueshme pasaportat e vaksinave për arsye ekonomike, apo për të mbrojtur shëndetin publik.

    Ose ato mund ta shmangin vetë sikletin, duke ia deleguar bizneseve, që t’i kërkojnë ato nga klientët. Ekziston gjithashtu pyetja nëse ia vlen të investohet në një pasaportë kombëtare të vaksinimit. Natyrisht kjo varet nga shpërndarja e vaksinave, mutacioni i virusit dhe faktorë të tjerë.

    Që të funksionojë kjo skemë, duhet që të vaksinohet një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së botës. Në fakt në shumicën e vendeve, vaksinimi është ende disa muaj larg. Deri atëherë, le t’i bashkojmë pjesët e këtij mozaiku, dhe të gjykojmë me kujdes nëse na pëlqen apo jo fotografia që na shfaqet. / “Financial Times”


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark