Që nga fëmijëria ka filluar të bëjë “filma” me vëllaun dhe motrën, i pëlqente shumë të shfaqej para kamerës. Si e vogël, tha se ka pasur pasion aktrimin, vallëzimin e gjimnastikën. Menjëherë pas përfundimit të luftës së bashku me familjen u kthye nga Kanada, në Kosovë, kështu edhe duke e zyrtarizuar karrierën e saj drejt aktrimit, ajo u pranua në UP – Arte Dramatike. Aktorja e njohur kosovare jo vetëm me projekte vendore por edhe ndërkombëtare, Maylinda Kosumovic, vjen në një Intervistë për Insajderin.
Insajderi
Kosumovic ka rrëfyer se si e filloi rrugëtimin e saj drejt aktrimit, tutje ajo tregoi për rolin e saj në filmin “Sirin”, me regji të regjisorit malazez, Senad Shahmanoviq, në të cilin Maylinda e luan rolin e Valeries, një Amerikane e cila punon në kompaninë e babait të saj, tutje ajo tregoi se nuk dihet kur do të jipet premiera, por që pritet së shpejti.
Ndër të tjera ajo rrëfeu edhe për shfaqjen “Nana dhe fëmija”, me regji të Bekim Lumit, për të cilën tha se është e lidhur emocionalisht me të.
“Ka shumë projekte që janë shumë të dashura për mua, si prej teatrit ashtu edhe prej filmit. Një shfaqje teatrore që e vlerësoj shumë dhe me të cilën jam lidhur edhe emocionalisht është “Nana dhe fëmija” me regji të Bekim Lumit. Procesi ishte më i gjati që kam punuar ndonjëherë, na u deshën gjashtë muaj prova të lodhshme dhe të ngarkuara për të arritur në natën e premieres”, tha Maylinda.
Intervista e plotë me aktoren kosovare, Maylinda Kosumovic:
Gazeta Insajderi: Si ka filluar rrugëtimi juaj drejt aktrimit dhe në cilën moshë?
Maylinda Kosumovic: Kam qenë shumë e vogël kur nisa të bëja “filma” me vëllaun dhe motrën. Atyre u pëlqente të xhironin dhe të shkruanin skenarë, (edhe pse qartësisht ishin të tmerrshëm) nga ana tjetër, mua më pëlqente të isha para kamerës. Gjithmonë merresha me aktrim, vallëzim, gjimnastikë. Doja të përformoja. Në atë kohë jetoja në Kanadë. Menjëherë pas përfundimit të luftës, prindërit e mi vendosën të ktheheshin. Kthimi në Kosovë bëri që dëshira ime për aktrim të rritej gjithnjë e më shumë, pastaj u pranova në Universitetin e Prishtinës – Artet Dramatike, klasa e profesor Astrit Kabashit.
Gazeta Insajderi: Cilin rol tuaj do ta veçonit, që keni më për zemër?
Maylinda Kosumovic: Ka shumë projekte që janë shumë të dashura për mua, si prej teatrit ashtu edhe prej filmit. Një shfaqje teatrore që e vlerësoj shumë dhe me të cilën jam lidhur edhe emocionalisht është “Nana dhe fëmija” me regji të Bekim Lumit. Procesi ishte më i gjati që kam punuar ndonjëherë, na u deshën gjashtë muaj prova të lodhshme dhe të ngarkuara për të arritur në natën e premieres. Pavarësisht nga gjithë puna e vështirë, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht, fitova dhe mësova shumë rreth aktrimit dhe mënyrave për të eksploruar dhe zgjeruar kufijtë e mi gjatë procesit.
Gazeta Insajderi: Nëse nuk do të ishit aktore, ku mendoni se do ta gjenit vetën?
Maylinda Kosumovic: Prap mendoj se do të merresha me performancë në një formë tjetër.
Gazeta Insajderi: Cili është dallimi në mes projekteve në Kosovë dhe projekteve ndërkombëtare?
Maylinda Kosumovic: Nuk mendoj qe ka dallim vetëm pse është projekt nderkombetar. Dallime ka në secilin projekt për shkak të shumë faktoreve pavarësisht se ku prodhohen. Por meqë po flasim për dallime, dallime ka në mënyrën se si punojnë, sigurisht për shkak të buxhetit që e posedojnë.
Gazeta Insajderi: Cili ishte roli juaj në filmin Sirin, si shkuan xhirimet e filmit dhe kur pritet premiera?
Maylinda Kosumovic : Unë e luaj Valerie, një Amerikane e cila punon në kompaninë e babait të saj. Valerie bashkë me Natalie nisen në Mal të Zi për të rregulluar një çeshtje që ka të bëjë me një kontratë të sabotuar. Premiera ende nuk dihet, por po besoj që së shpejti.
Gazeta Insajderi: A po planifikoni ta vazhdoni karrierën jashtë vendit pasiqe keni luajtur edhe ne serialin e HBO-së “Welcome to Utmark” dhe poashtu në shumë projekte Ballkanike?
Maylinda Kosumovic: Po shpresoj qe këto projekte kanë me hape më shumë mundësi të bashkëpunimit në rrafshin ndërkombëtar.
Gazeta Insajderi: Kauzat që mbështetni?
Maylinda Kosumovic: Unë kam qenë gjithmonë mbështetëse sidomos kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me stigmatizimin social dhe diskriminimin ndaj grupeve të margjinalizuara. Për këto gjëra nuk flas vetëm me miqtë, por gjithashtu mundohem me i përdorë platformat e mediave sociale për të rritur ndërgjegjësimin.
Gazeta Insajderi: A keni ndonjë film tjetër të cilin e keni përfunduar apo që pritet ta filloni?
Maylinda Kosumovic: Këtë vit e kam përfunduar edhe filmin “Era” në regji te Parta Kelmendit i cili gjatë festivalit të filmit Cottbus do të shfaqet në kategorinë e Work in Progress, dhe poashtu filmi i Fisnik Maxville “The Land Within” do t’a ketë premierën në Tallinn Black nights film festival. Për projekte të tjera ende nuk mund të flas.
Gazeta Insajderi: Ju jeni edhe në ansambel të Teatrit Kombetar të Kosovës? A keni ndonjë projekt të ri?
Maylinda Kosumovic: Sapo kemi filluar shfaqjen e bazuar tek vepra e Cajupit “Pas Vdekjes” ne regji te regjisorit Fatos Berisha. Premiera pritet te dal ne nentor te ketij viti.