Dega e Partisë Demokratike në Gjilan e ka akuzuar qeverisjen e Isa Mustafës për financimin e projekteve nëpër komunat e Kosovës, duke thënë se po e anashkalon Gjilanin.
PDK-ja në Gjilan është acaruar për shkak të një projekti mbi 12 milionë eurosh për trajtimin e ujërave të zeza, që ishte planifikuar në qeverisjen e PDK-së nga Qemajl Mustafa.
“Propozimi i Partisë Demokratike të Kosovë në Kuvendin Komunal të Gjilani për financimin e projektit për trajtimin e ujërave të zeza, nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, u votua kundër nga Këshilltarët Komunal të LDK-së, të cilët e refuzuan kërkesën e PDK-së që kredia nga Qeveria e Austrisë nëse miratohet, të planifikohet në buxhetin e Kosovës për të paguar kthimin e kësaj kredie 15-vjeçare në vlerën prej 12.2 milionë euro”, thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Gjilan.
PDK thotë se e përkrahë këtë projekt që është planifikuar në vitin 2012 në qeverisjen e saj, por shton se mënyra e financimit të këtij projekti dhe futja e komunës së Gjilanit në borxhe edhe për 12 milionë euro, është barrë e rëndë për buxhetin e komunës së Gjilanit.
“Propozimi ynë në Kuvendin Komunal ishte që t’i rekomandohet Qeverisë së Kosovës, që këtë problem serioz të qytetarëve të Gjilanit, ta trajtojë meritueshëm dhe të merr obligim financimin e këtij projekti kapital, sikurse që gjatë viteve të fundit i ka financuar këtë kategori të projekteve me miliona euro nëpër komunat tjera të Kosovës, ndërsa Gjilanit ia ka ndarë vetëm nga 100 mijë euro”, vazhdon reagimi i PDK-së në Gjilan.
“Ky është diskriminimi më madh që po i bëhet qytetarëve të Gjilanit nga qeverisja e LDK-së dhe e Isa Mustafës si kryeministër i vendit, ndërsa kryetari i komunës Lutfi Haziri lavdërohet para qytetarëve me këtë hyrje në këtë kredi, që do të jetë barrë me dekada për xhepin e qytetarëve të Gjilanit”, përfundon komunikata./Insajderi.com