Prokurori i rastit “Banjska”, Naim Abazi, ka mirëpritur vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore, duke e cilësuar atë si një fitore të drejtësisë dhe një mesazh të fuqishëm për të gjithë ata që tentojnë të cenojnë sigurinë e Kosovës.
Në një deklaratë për media, Abazi u shpreh se aktgjykimi që dënoi tre pjesëtarët e grupit terrorist është vetëm fillimi i llogaridhënies për ngjarjet e 24 shtatorit.
Sipas prokurorit Abazi, ky vendim shërben si një paralajmërim për çdo person të përfshirë në organizimin dhe realizimin e sulmit në veri të vendit.
“Aktgjykimi i sotëm jep sinjal të qartë se të gjithë personat e përfshirë në këtë sulm do të marrin dënimin e merituar”, deklaroi ai.
Prokurori Special bëri të ditur se fokusi i institucioneve të drejtësisë tani zhvendoset te personat që ende ndodhen në arrati, përfshirë organizatorët dhe financuesit. Ai konfirmoi se do të përdoren të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë për të siguruar arrestimin e tyre.
“Përmes ndihmës ndërkombëtare dhe Interpolit do të kërkojmë arrestimin edhe të pjesëtarëve të tjerë. Të gjithë ata që kanë urdhëruar, financuar dhe koordinuar sulmin do të përgjigjen para organeve të drejtësisë”, ka thënë prerazi Abazi.
Tre terroristët u dënuan sot nga trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
/Insajderi