Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka deklaruar se do të fillojë procedura penale ndaj uzurpatorëve të pronave.
Ky zotim vjen vetëm disa ditë pasi Agjencia Kosovare e Privatizimit publikoi listat me uzurpues të pronave shoqërore.
Lumezi sot ka pritur sot në një takim drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, me të cilin diskutua lidhur me nisjen e hetimeve ndaj personave “të cilët kanë marrë prona shoqërore pa autorizimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit” , thuhet në një komunikatë për media të prokurorisë.
“Në këtë takim u theksua se kushdo që pa autorizim, apo në mënyrë të kundërligjshme, ka hyrë në objektet, të cilat janë në pronësi të Agjensionit Kosovar të Privatizimit, apo të atyre që kanë lidhur kontratë me AKP-në dhe nuk largohen nga ato objekte sipas kërkesës së personave të autorizuar, ndaj tyre të fillohet procedura penale,” thuhet në komunikatë.
“Të dyja palët u pajtuan që të angazhohen në intensifikimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, duke i koordinuar aktivitetet e tyre me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të hetimeve të këtyre rasteve, në mënyrë sa më efikase”
Në këtë takim, Kryeprokurori Lumezi ishte i shoqëruar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka dhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agron Galani./Insajderi