Prokuroria e Shtetit ka bërë të situr se ka mbledhë të gjitha provat në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe rezultatet e autopsisë që janë bërë sot nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, për Naser Makollin, mbi të cilat do të nxjerrë rezultatin rreth vdekjes së tij.
“Pas sigurimit të raportit të ekspertizës së obduksionit – lidhur me shkaktarin e vdekjes dhe pas analizimit të të gjeturave tjera, të deklaratave të të gjithë dëshmitarëve, pas ekzaminimit të provave materiale që janë siguruar nga vendi i ngjarjes, incizimeve dhe mostrave të ushqimit që janë marr në vendin e ngjarjes, do të nxirret përfundimi lidhur me shkaktarin e vdekjes së të ndjerit N.M.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.
Prokuroria ka shtuar se dje është njoftuar nga Policia e Kosovës se nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan në QKMF në Lipjan është sjellë pa shenja jete personi Naser makolli.
“Prokurori kujdestar nga kjo prokurori, posa ka pranuar këtë informacion ka dalë në vendngjarje, ku ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe me urdhër të tij rasti është hapur si “Vdekje e dyshimtë”, ndërkaq trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet më tej në njoftim./Insajderi.com