Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar të enjten më 20 mars seancën përfundimtare ndaj të akuzuarit Dod Gjikolajt, për vrasjen e Haxhi Ahmetit, në një akt ku u përdor eksplozivi si mjet.
Avokati i familjes Ahmeti, Prek Kolaj tha se shpreson që drejtësia të merr vendim të merituar bazuar në gjetjen e provave të mjaftueshme.
“Sot u dha fjala përfundimtare e çështjes së akuzuarit Dod Gjikolaj, ne si palë e dëmtuar i kemi paraqit të gjitha pretendimet tona ku ka bazë dhe bazohet dyshimi që ka kryer një vepër penale. Ne shpresojmë qe drejtësia do ta merr një vendim të merituar te akuzuarit pasi që ka prova që ky ka kryer vepra penale dhe besojmë drejtësi. Të mërkurën është shpallja e aktgjykimit dhe të merr dënimin e merituar”.
Ndërkaq Gani Ahmeti, djali i të ndjerit tha se shpreson që gjyakata të merr vendim me dënim maksimal.
“Sot ishte fjala përfundimtare e babait tim e falënderoj prokurorin se ma në fund e ngrit vendim maksimum për të akuzuarin me vrasje me pagesë dhe e lusë gjykatën që ta merr parasysh dënimin dënimin e përjetshëm Për me na shlirua edhe neve e ky është vras me pagesë është e pagune të arrestohet edhe paguesi Bajram Ahmeti”.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 5 gusht 2022 nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Dod Gjikolaj, po akuzohet se më 14 tetor 2018, në fshatin Smolicë të Komunës së Gjakovës, ka privuar nga jeta të ndjerin Haxhi Ahmeti.
Aktakuza thotë se Gjikolaj kishte vendosur eksploziv në dyer të oborrit të H.A dhe me teledirigjues e ka aktivizuar ku ka mbetur një person i vdekur dhe A.K i lënduar.
Gjikolaj ngarkohet për “Vrasje të rëndë” dhe posedim të paautorizuar të materialit eksploziv.