×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “Ky është vrasësi”, tension në Gjykimin kundër Dod Gjikolajt i akuzuar për vrasje me pagesë me eksplozivë në Gjakovë

    Insajderi
    17 November 2023 - 20:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të premten është mbajtur seanca e radhës kundër Dod Gjikolajt, i akuzuar për vrasjen e Haxhi Ahmetit në një akt ku u përdor eksplozivi si mjet.

    Seanca ishte vazhdim i seancës së fundit, por ishte planifikuar madje edhe që të mbahej fjala përfundimtare.

    I biri i viktimës, Gani Ahmeti në një intervistë pas seancës i ka thënë Insajderit, se ishte në fakt prezenca e Gazetës Insajderi që  e shty trupin gjykues të mos e mbante fjalën përfundimtare pa ardhur edhe një ekspertizë që është kërkuar të bëhet në Zvicër.

    Në këtë ekspertizë që po kërkohet të bëhet jashtë Kosovës, kërkohet që në thelb të pastrohen pamjet e DVR-së ku mund të shihet personi, në një video, që kreu aktin e vendosjes së eksplozivit që shkaktoi edhe vdekjen e Haxhi Ahmetit.

    Por, Gjykata pati një arsye tjetër që e bëri të ditur në seancë.

    Kështu, për shkak se prokurorja Ervehe Gashi ishte ajo që kërkoi shtyrjen e seancës me arsyetimin se Instituti i Cyrihut në Zvicër ka kërkuar origjinalin e incizimit (DVR) të rastit nga shkresat e lëndës dhe do të pritet raporti i tyre, është edhe arsyeja e ndërprerë seanca e së premtes në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

    Në këtë proces Dod Gjikolaj akuzohet për vrasje me eksploziv.

    Prokurorja Gashi kërkoi që gjykata t’ua dorëzojë DVR për t’ua dërguar në Institutin Zviceran, ndërsa shtoi se ky Institut brenda tre javësh do t’i pajisë me një raport.

    “Kërkoj nga trupi gjykues të kemi mirëkuptim dhe ta presim raportin e ekzaminimit prej Zvicrës, pasi që DVR është në gjykatë, kërkoj nga gjykata që e njëjta të na dorëzojë neve me qëllim që ne ta dërgojmë në Institutin e Zvicrës, brenda 3 jave eventualisht 30 ditë do të na pajisin me raport”, tha Gashi.

    Kërkesa nuk u kundërshtua nga mbrojtësi i të dëmtuarës Hidije Ahmeti, avokati Prek Kola, por kundërshtim pati nga mbrojtësi i të akuzuarit Gjikolaj, avokati Xhemajli Ademaj, i cili tha se nuk ka kurrfarë vlere identifikuese.

    “Për arsye se në bazë të raportit të cilin e kam lexuar kërkohet antropologji, por nuk e kanë cekur faranike, e cila ka të bëjë me gjatësinë e trupit, lëvizjen e darëve, për mua kjo provë nuk na plotëson ndonjë kriter të veçantë për ta identifikuar dikë në këtë vepër”, tha avokati Ademaj.

    Sipas tij, bazuar në përvojën e tij të punës, të gjitha Institutet Forenzike në Kosovë, janë më të profesionalizuar sesa ai i Zvicrës, të cili i është drejtuar kërkesa. Andaj, kërkoi të mos zvarritet rasti.

    Gjatë seancës ka pasur momente tensioni, ku familjarët e viktimës i janë drejtuar me fjalë |vrasës vrasës” të akuzuarit, me cka gjykatësi krysor i këtij trupi disa herë ua ka tërhequr vërjetjën nën paralajmërimin se mund ti nxjerr jashtë seancës.

    Insajderi do ti sjell komplet pamjet e këtyre momenteve.

    Pas këtyre situatave të krijuara në gjykatë dhe marrjes së mendimeve prej Prokurorisë, avokatit të familjës së viktimave dhe avokatit të të akuzuarit, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Ilir Rashkaj aprovoi këtë kërkesën e prokurores Gashi dhe seanca u ndërpre pasi do të pritet për t’u pajisur me raportin e Institutit të Cyrihut.

    Seanca e radhës u caktua më 27 dhjetor 2023.

    Ndryshe, për sigurimin e pranisë së të pandehurit Gjikolaj, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjelljen përmes njesitit për transportimin e të paraburgosurve.

    Para kësaj, avokati i të akuzuarit Dod Gjikolaj ia dorëzoi gjykatës akt-vërtetimin e hyrje-daljeve të të akuzuarit, nga Policia e Shqipërisë- Drejtoria në Shkodër.

    “Ua ofroj një akt-vërtetim të datës 30 tetor 2023 për lëvizje e shtetasit Dod Gjikolaj për tërë vitin 2018, me ç’rast nga një kopje ia dorëzoj edhe palëve tjera në procedure”, ka thënë avokati Ademaj.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 5 gusht 2022 nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Dod Gjikolaj, po akuzohet se më 14 tetor 2018, në fshatin Smolicë të Komunës së Gjakovës, ka privuar nga jeta të ndjerin Haxhi Ahmeti.

    Aktakuza thotë se Gjikolaj kishte vendosur eksploziv në dyer të oborrit të H.A dhe me teledirigjues e ka aktivizuar ku ka mbetur një person i vdekur dhe A.K i lënduar. Gjikolaj ngarkohet për “Vrasje të rëndë” dhe posedim të paautorizuar të materialit eksploziv. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark