Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për hetim të kërcënimit ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi nga ana e Abelard Tahirit sot, në seancën e Kuvendit.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Referuar pyetjes suaj, iu njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme lidhur me këtë çështje”, ka thënë Ulaj për Insajderin.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha sot se është kërcënuar nga Abelard Tahiri gjatë seancës parlamentare që po mbahet të enjten.
“Ish ministri i Drejtësisë dhe deputeti nga kjo foltore u kthye me një sërë akuzash, ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni me stilin e një banditi që i vendos shurdhues armës. U kthye nga unë me një sërë kërcënimesh dhe nga foltorja e tij me sharje dhe mendoj që do të ishte mirë që prokuroria me marrë masa për rastin”, tha Bislimi.
Ishte ministri i Financave, Hekuran Murati i cili ftoi Prokurorin që këtë situatë ta marrë seriozisht sepse kishte kërcenim dhe jo vetëm gjuhë degraduese.
Sipas Muratit, Tahiri pasi përfundoi fjalimin e tij ka kërcënuar dha ka sharë Besnik Bislimin, shkruan Insajderi.