×
  • Lajme
  • Insajderi

    Prokuroria nis hetimet ndaj ambasadorit Martin Berishaj

    Insajderi
    06 September 2022 - 13:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, për raportim të rremë të pasurisë. Kështu kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në një prononcim për Gazetën Insajderi.

    “Ju njoftojmë se rasti për të cilin keni parashtruar pyetje është duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit. Prokuroria e konfirmoi pozitivisht se ka një aktvendim të tillë për rastin”, tha Prokuroria për Insajderin.

    Nisja e hetimeve ndaj Berishajt vjen pasi Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) kishte konfirmuar për Insajderin dorëzimin e një kallëzim penal në Prokurori.

    “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka pranuar nga Agjencioni Kundër Korrupsionit kallëzim penal kundër personit me inicialet M.B. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, kallëzimin penal e ka dërguar në kompetencë në Prokurori Themelore në Prishtinë”, ka thënë Luftiu për Insajderin.

    Ambasadori Berishaj ishte përfshirë në një skandal të madh në Slloveni ku sipas mediave të atjeshme rreth 600 mijë euro para cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni nga Berishaj.

    Bizneset që nuk i deklaroi Martin Berishaj

    Pas pyetjeve të Insajderit, më 26 prill të këtij viti, Agjencia kudër Korrupsion i kishte konfirmuar Insajderit se kishte nisur një hetim për zyrtarin e lartë, ambasador i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

    “Agjencia kundër Korrupsionit konfirmon që ka pranuar këtë informatë në fund të  javës së kaluar dhe e njëjta do të trajtohet sipas ligjit dhe brenda afateve ligjore. Rrjedhimisht, AKK ka inicuar procedurat për verifikim të pasurisë së deklaruar nga z. Berishaj. Verifikimi administrativ (sipas nevojës edhe hetimi administrativ) që kryhet nga AKK bëhet në formë të pavarur”, kishte thënë në atë kohë për Insajderin, Yll Buleshkaj, drejtor i AKK-së.

    Ky hetim kishte nisur pasi që Insajderi publikoi artikullin “Bizneset e ndërmjetësimit të Martin Berishajt në Kosovë që nuk iu përmendën nga Qeveria kur u bë Ambasador”.

    Insajderi raportoi se Martin Berishaj, ka të regjistruar edhe në Kosovë një firmë për ndërmjetësim.

    “Ndërmjetësimet e tjera monetare”, është aktiviteti kryesor i firmës “Myloja L.L.C”, pronë e Martin Berishaj. Për ortak në këtë firmë me nga 33 përqind të aksioneve ai ka edhe Janez Bukovnikun  e Anton Eerne. Firma është e regjistruar në vitin 2008 dhe adresën e ka në fshatin Hajvali të Prishtinës.

    Po në Hajvali është e regjistruar edhe firma tjetër “Zaslon Kosova L.L.C”, ku 15 përqind të aksioneve i ka Martin Berishaj.

    Edhe ajo është regjistruar në vitin 2008 dhe si aktivitet i listuar aty përsëri është ‘ndërmjetësimi”. Në këtë firmë Berishaj ka për ortak Benjamin Erazem Pintar.

    Në dhjetor të vitit 2021 u zyrtarizua emërimi i tij ambasador i Kosovës në Kroaci.  Një CV e karrierës dhe angazhimeve të tij nuk është publike në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

    Në publik atij pas zgjedhjes i janë përshkruar shkollimi e angazhimet e tjera, por jo edhe bizneset. As bizneset që i ka të regjistruara në Kosovë, dhe as biznesi që iu përmend nga mediat sllovene. “MB Consulting” në Mal të Zi.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    25 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark