×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Rasti i Martin Berishajt dërgohet për hetim penal në Prokurori

    Insajderi
    17 August 2022 - 11:00

    Agjencia kundër Korrupsionit ia ka konfirmuar Gazetës Insajderi se rastin e Martin Beirshajt, për të cilin ka raportuar gazeta në prill 2022 e ka dërguar për hetim penal në Prokurorinë e Shtetit. Berishaj ishte përfshirë në një skandal të madh në Slloveni ku sipas mediave të atjeshme rreth 600 mijë euro para cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni nga Berishaj dhe se ky i fundit thuhet se ka pasur rolin e “mushkës” apo transportuesit të parave.

    Visar Duriqi

    Mbi tre muaj pas raportimit të Gazetës Insajderi se ambasadori kosovar në Kroaci ka fshehur së paku dy biznese, Agjencia kundër Korrupsionit (AKK) e ka kryer hetimin e saj administrativ dhe ka parë që ky rast tash duhet të vazhdohet nga Prokuroria e Shtetit.

    “Rasti me të gjitha dokumentacionin përcjellës 05.08.2022 me Kallëzim penal është përcjellë në Prokurorinë e Shtetit për procedim penal të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e AKK-së për Gazetën Insajderi.

    Bizneset që nuk i deklaroi Martin Berishaj

    Pas pyetjeve të Insajderit, më 26 prill të këtij viti, Agjencia kudër Korrupsion i kishte konfirmuar Insajderit se kishte nisur një hetim për zyrtarin e lartë, ambasador i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

    “Agjencia kundër Korrupsionit konfirmon që ka pranuar këtë informatë në fund të  javës së kaluar dhe e njëjta do të trajtohet sipas ligjit dhe brenda afateve ligjore. Rrjedhimisht, AKK ka inicuar procedurat për verifikim të pasurisë së deklaruar nga z. Berishaj. Verifikimi administrativ (sipas nevojës edhe hetimi administrativ) që kryhet nga AKK bëhet në formë të pavarur”, kishte thënë në atë kohë për Insajderin, Yll Buleshkaj, drejtor i AKK-së.

    Ky hetim kishte nisur pasi që Insajderi publikoi artikullin “Bizneset e ndërmjetësimit të Martin Berishajt në Kosovë që nuk iu përmendën nga Qeveria kur u bë Ambasador”.

    Insajderi raportoi se Martin Berishaj, ka të regjistruar edhe në Kosovë një firmë për ndërmjetësim.

    “Ndërmjetësimet e tjera monetare”, është aktiviteti kryesor i firmës “Myloja L.L.C”, pronë e Martin Berishaj. Për ortak në këtë firmë me nga 33 përqind të aksioneve ai ka edhe Janez Bukovnikun  e Anton Eerne. Firma është e regjistruar në vitin 2008 dhe adresën e ka në fshatin Hajvali të Prishtinës.

    Po në Hajvali është e regjistruar edhe firma tjetër “Zaslon Kosova L.L.C”, ku 15 përqind të aksioneve i ka Martin Berishaj.

    Edhe ajo është regjistruar në vitin 2008 dhe si aktivitet i listuar aty përsëri është ‘ndërmjetësimi”. Në këtë firmë Berishaj ka për ortak Benjamin Erazem Pintar.

    Në dhjetor të vitit 2021 u zyrtarizua emërimi i tij ambasador i Kosovës në Kroaci.  Një CV e karrierës dhe angazhimeve të tij nuk është publike në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

    Në publik atij pas zgjedhjes i janë përshkruar shkollimi e angazhimet e tjera, por jo edhe bizneset. As bizneset që i ka të regjistruara në Kosovë, dhe as biznesi që iu përmend nga mediat sllovene. “MB Consulting” në Mal të Zi.

    Lidhja me GEN-Beograd

    Afro tre muaj më parë televizioni slloven, Planet TV, raportoi se rreth 600 mijë euro para cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit thuhet se ka pasur rolin e “mushkës” apo transportuesit të parave.

    Në xhirollogarinë e MB Consulting, kompani në pronësi të Berishajt e regjistruar në Mal të Zi, nga GEN-i serb janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj, përcjell Demokracia.com.

    Ky televizion kishte raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

    Pagesat ishin kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompania GEN ka marrëveshje për këshillime.

    Lidhur me rastin kishte reaguar edhe ambasadori Berishaj, i cili kishte paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi, por nuk ka mohuar dhe as pohuar që kompania në fjalë është e tij.

    Bllokimi i xhirollogarive të kompanisë së ambasadorit Berishaj

    Insajderi po ashtu kishte raportuar që se  firmës “MB Consulting” te Martin Berishajt, ambasadorit kosovar në Kroaci që është përfshire ne skandalin 600 mije eurosh te parave nga GEN-I Beograd, i janë bllokuar xhirollogaritë.

    Vendimi ishte marre ne shtator te vitit te kaluar. Arsye e këtij veprimi nga shteti ishte që firma ka borxh tatimor.

    Mbi 31 mije euro është shuma e borxhit nga mos pagesa e tatimit ne fitim nga firma e Berishajt. Kjo shumë e llogaritur e borxhit të tatimit në fitim tregon se Berishaj ka pasur fitime prej qindra mijë eurove brenda një viti nga afarizmi në Mal të Zi./ Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark