×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Prokuroria posedon video të ryshfetdhënies – biznesmeni i njohur rrezikon burgun

    Insajderi
    08 March 2022 - 14:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Biznesmeni Arian Idrizaj ka qenë njëri nga tetë të arrestuarit në rastin “Brezovica 3”, por ai është liruar të shtunën nga Gjykata, dhe të njëjtit i është caktuar vetëm masa e sigurisë.

    “…sa i përket të pandehurit A.I. i caktohet masë e sigurisë me të cilën është urdhëruar paraqitja në Stacionin Policor – Qendra në Prishtinë dhe ndalimi për t`iu ofruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaji, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë, të lëshuar të shtunën, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lajmin për lirimin e tij e ka konfirmuar edhe avokati Skënder Musa.

    “Ariani është liruar në trajtim të plotë, pasi unë i kam bërë kërkesë Prokurorit të Shtetit që ta fillojë procedurën e negocimit për pranimin e fajësisë. Klienti im nuk ka asnjë lloj obligimi të bashkëpunojë më shtetin, sa i përket personave të tjerë të përfshirë”, ka thënë Musa për Gazetën Insajderi.

    Gazeta Insajderi ka mësuar se Prokuroria posedon video, ku shihet Arian Idrizaj, duke i dhënë ryshfet ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.

    Kjo duket të ketë qenë arsyeja që Musa ka kërkuar nga klineti i tij, ta pranojë fajësinë, fakt ky i cili mund ta çojë biznesmenin në burg, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nga pranimi i fajësisë, Idrizaj mund të përfitojë dënim më të lehtë me burg, se sa që rrezikon të marrë në procedurë të rregullt gjyqësore.

    Ndryshe, Idrizaj ishte arrestuar më 3 mars, në aksionin “Brezovica 3”, nën dyshimet se ia ka dhënë 100 mijë euro, ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.

    “Për të pandehurin A.I., ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2014 deri në vitin 2018, në Shtërpcë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë para personit zyrtar [v.j. ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq]  që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt, shkruan Gazeta Insajderi.

    Biznesmeni nga Prishtina dyshohet për veprën penale “dhënie ryshfeti” dhe “ushtrim të ndikimit”, pasi për këtë të fundit, gjithmonë sipas njoftimit të Prokurorisë, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar [v.j. ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq], që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij.

    Ndryshe, biznesmeni Idrizaj, ka edhe një aktakuzë të hapur pikërisht për degradim të ambientit në Parkun Kombëtar “Sharri”.

    “Arian Idrizaj akuzohet se nga fundi i vitit 2010, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore”, shkruan në aktakuzën të cilën e posedon Gazeta Insajderi.  

    Akti akuzës ndaj tij dhe disa personave të tjerë ishte ngritur nga prokurori ferizajas, Rasim Maloku, më 16 nëntor, të vitit 2020.

    Mbi Idrizajn rëndojnë disa dyshime, sipas aktakuzës së siguruar nga Gazeta Insajderi.

    “…në atë mënyrë që si person i autorizuar i investitorit UMSH “Rezonanca” në Prishtinë, në ngastrën kadastrale numër 6382/2 ZK Shtërpcë, e cila gjendet në zonën e tretë të Parkut, përmes firmës ndërtimore PRO ARK, ka filluar ndërtimin e objektit afarist, duke vazhduar me aneks ndërtimin në vitin 2011 si dhe mbindërtimin në vitin 2014, duke ndërtuar objektin shumëkatësh 2B+P+4+NK, pa pëlqimin e MMPH-së për vlerësimin e ndikimit një mjedis dhe vlerësimin strategjik mjedisor, duke dëmtuar drunjtë dhe token, në kundërshtim me planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit”, shkruhet në aktakuzën e vitit 2020, transmeton Gazeta Insajderi.

    Gjykimi ndaj Idrizajt dhe të tjerëve nuk ka nisur akoma, pasi të shtatë seancat e thirrura kanë dështuar për shkak të mungesës të të akuzuarve.

    Një seancë e fundit, ishte thirrur më 14 shkurt të këtij viti, por edhe ajo ka dështuar – në këto rrethana, seanca fillestare për këtë rast është caktua më 15 mars, të vitit 2022, shkruan Gazeta Insajderi.

    Presidentja dhe Kryekuvendari presin në takim njeriun me aktakuzë

    Megjithëse biznesmeni Idrizaj akuzohet për degradim të ambientit në Brezovicë, kjo s’e ka penguar që pritet në takime nga liderët shtetërorë.

    Në shtator të vitit 2021, rektori i kolegjit “Rezonancës”, ishte pritur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    “Një pritje madhështore nga Kryetari i Kuvendit Z. Glauk Konjufca si dhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës Znj. Vjosa Osmani”, shkruan Idrizaj në profilin e tij në Facebook, kur ka shpërndarë edhe kolazhin e fotografive nga takimet, transmeton Gazeta Insajderi.

    Biznesmeni në shkrimin e tij ka falënderuar Osmanin e Konjufcën, siç ka thënë për “përkrahjen e pa kursyer shtetërore për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë”.

    This image has an empty alt attribute; its file name is idrizaj.jpg

    Sipas njoftimit të Idrizajt, ai në këto takime ka qenë bashkë me Presidentin e Alma Mater Europaea njëkohësisht honorary President i Akademisë së Shkencave dhe Artve Europiane Akad. Prof. Dr. Felix Ünger si dhe Presidenti i AMEC Rezonanca Akad. Prof. Dr. Ramadan Idrizaj.

    Ky i fundit është babai i Arianit, i cili ka qenë i përfshirë edhe në rast tjetër.

    Kompania e një prej vëllezërve të Behgjet Pacollit e kishte fituar në valën e 5 objektin e “Farmedit”, pas ofertës 2.4 milionë euro, kjo pasi që ofertuesi më i shtrenjtë, Ramadan Idrizaj, me 3.6 milionë nuk i kishte pasur paratë që ta paguajë.

    Më pas, Idrizaj i ka kërkuar Pacollit që t’ia japë atij në pronësi Farmedin, meqë aty mund të ndërtohej një spital i mirë e modern. Nëpërmjet një marrëveshjeje konfidenciale palët ishin pajtuar që pasi që Idrizaj ta paguajë shumë prej 2.4 milionë eurosh, ta marrë objektin prej Pacollit për 1 milion euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, sipas Paollit, Idrizaj nuk e kishte bërë pagesën kurrë, sikurse nuk i ishte përmbajtur një marrëveshjeje tjetër, sipas së cilës të dyja palët do të investonin nga 10 milionë euro për ndërtimin e spitalit në këtë objekt.

    Pacolli ka në pronësi Farmedin, ku tash e një kohë qira paguan misioni evropian për sundim ligji, EULEX.

    Rasti “Brezovica”, dhe të arrestuarit tjerë

    Ndryshe, Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021, dhe në muajin janar të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”

    Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

    Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kurse, në aksionin e muajit janar janë arrestuar katër persona, përfshirë edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.

    Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

    Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht, shkruan Gazeta Insajderi.

    Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.

    Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark