×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Pronari i “Andrra Residence” po mashtron blerësit me reklamë të rreme për objektin që është duke u ndërtuar në qendër të Skenderajt

    Insajderi
    24 October 2024 - 16:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompania e Ndërtimit “Andrra Residence” që po hetohet nga Prokuroria për shkaktim të dëmeve për banorë që jetojnë në zonën ku po ndërtohet objekti banesor në qendër të Skenderajt, tani është duke mashtruar qytetarët dhe blerësit përmes panove reklamuese të rreme përreth objektit. Inspektorati komunal i Skenderajt ka lëshuar vrejtje ndaj kompanisë për largimin e tyre pasi janë në kundërshtim me lejen e ndërtimit.

    Gazeta Insajderi

    Kompania e ndërtimit “Andrra Invest” e cila është pronë e biznesmenit Astrit Çitakut, i cili kishte kanosur një inspektorate, është duke mashtruar qytetarët e Skenderajt përmes panove që ka vendosur në rrugën “Emin Lati” në Skenderaj.

    Kjo kompani ka vendosur reklama të rreme duke proklamuar se objekti do të jetë më i lartë, d.m.th me më shumë kate se sa janë të parapara në leje ndërtimi.

    Sipas përshkrimit të lejes së ndërtimit që ka siguruar Gazeta Insjaderi, thuhet se kjo kompani ka leje për ndërtimin për dy Lamella, 5 dhe 7 kat.

    Përshkrimi: Objekti Afarsit-Banesor Lamella A- B+S+P+7 dhe Lamella B- 2B+P+4” specifikohet në lejen e ndërtimit.

    Ndërsa kompania e ndërtimit, “Andra Invest” po propagandon me reklamat e tyre duke paraqitur dy objektet banesore nga 10 deri në 12 kat.

    Paralajmërim nga Inspektorati në Skenderaj

    Drejtoria për Inspeksion në komunën e Skenderajt, përmes një proces verbali të datës 2 tetor duke konstatuar gjendjen faktike nga tereni, kanë hasur se kjo kompani ka vendosur reklamë të cilat nuk janë në përputhje me lejen e ndërtimit të lëshuar për këtë objekt.

    Operatori i lartcekur në punimet e objektit të cilin është duke e ndërtuat ka vendosur reklama të cilat nuk janë në përputhje me lejen e ndërtimit të lëshuar për këtë objket. Lartesia e objketit parashihet të jetë B+S+P+ 7, ndërsa në reklamat e vendosur nga kjo kompani tejkalohet”. Kjo bie ndesh me nenin 7 te rregullores për Sherbime Publike”, thuhet në këtë proces verbal.

    Këtë e ka konfirmuar edhe Drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit Komunal, Valon Haliti për Gazetën Insajderi.

    Objekti është i pajisur me leje ndërtimi dhe është i ndarë në dy llamella: Llamella A, që përfshinë B+S+P+ 7, dhe Llamella B, që përfshine 2B+P+4. Rrjedhimisht i bie që reklamat e vendosura paraqesin diçka tjetër nga ajo që përfshihet në lejen e ndërtimit. Ne baze të asaj që shihet ne reklame, aty proklamohet që objekti do të jetë më i lartë (më shumë kate), se sa janë të parapara në leje ndërtimi, e cila është dhënë konfrom projektit duke respektuar stadardet e hartës zonale dhe ligjeve që e rregullojnë këtë çështjen e pajisjes me leje ndërtimi” ka deklarua ai.

    Përkundër proces verbalit të lëshuar nga Inspektorati komunal, pronari i kompanisë Astrit Çitaku ka mohuar të ketë vendosur reklama të rrejshme.

    Se pari nuk ka rregullore për vendosje te reklamave, e ne reklama munde te vendosesh qka te deshirosh! (Gjithsesi ne kemi vendosur sipas lejes). Nuk ka reklam te rrejshme aty!”, ka thënë Astrit Çitaku për Gazetën Insajderi.

    Punimet për ndërtimin e një objekti banesor në rrugën “Emin Lati” të Skenderaj kanë filluar me 20 korrik 2023.

    Në shtator të vitit të kaluar Gazeta Insajderi ka raportuar se kompania “Andrra Residence” ka dëmtuar banorët në rrugën “Emin Lati” në Skenderaj, me ndërtimet që po kryente. Ndërsa pas raportimit të Gazetës Prokuroria kishte nisur hetimet ndaj Astrit dhe Arben Çitaku si persona përgjegjës të kompanisë si dhe ishte ngritur aktakuzë ndaj tre zyrtarëve të Komunës së Skenderajt.

    Kujtojmë se, Arben Çitaku ishte i arrestuar për korrupsion në rastin “Brezovica” derisa ishte sekretar i Ministrisë së Ambientit në vitin 2022.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark