×
  • Lajme
  • Lajme

    Pronaret e tokave – minoriteti i shoqërisë kosovare

    Insajderi
    28 May 2016 - 16:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një grup vajzash, nxënëse të shkollës se mesme në Drenas kanë muaj të tërë që kanë nisur një seri trajnimesh për moshataret e tyre për t’i vetëdijesuar për të drejtën e femrave mbi pronën.

    Rina Shabani, nxënëse dhe aktiviste e kësaj fushate, bashkë me vajzat tjera po u tregojnë moshatareve të tyre për të drejtën e pronës, në një rajon ku për të drejtën e pronës flitet shumë pak.

    “Arsyeja pse jemi duke punuar me nxënëse është fakti që barazinë duhet me e kultivu qysh ne moshat e hershme Prej statistikave qe i kemi marrë në Drejtorinë e Kadastrës prej 192 rasteve për pronë të regjistruar ,veç 19 janë në pronësi të grave”, tha Shabani.

    RINA

    Gjendja nuk është hiq më e mirë edhe në nivel shtetëror.

    Sipas statistikave të kadastralit të Kosovës, të prezantuara në debatin “Gratë dhe Prona”  në kuadër të festivalit feminist “FemArt”, vetëm 15 % e pronave janë të regjistruara në emër të femrave.

    Prona mund të regjistrohet si pronë  e veçantë kur femra e trashëgon atë nga babai  dhe si e përbashkët kur ajo e ka në pronësi së bashku me burrin.

    Vetëm 10 % e femrave kanë të regjistruar si pronë të veçantë pra pronë të tyren, u tha në këtë debat.

    Përderisa Rina Shabani me nxënëset e tjera po vazhdojnë aktivizmin e tyre në Drenas, në Prishtinë të shtunën, për të drejtën e gruas në pronë, diskutuan sociologia Sibel Halimi, Leonora Selmani nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

    debati

    Sipas tyre, fakti që vajzat sikurse moshataret e Rina Shabanit dhe më të rritura, nuk kanë pronë në emër të tyre, tregon për ndikimin që e ka shoqëria dhe mentaliteti  për trashëgimin e pronës ndaj femrës.

    Sipas Selmanit “legjislacioni dhe kushtetua e Kosovës ju garanton të drejtën grave ndaj trashëgimisë”.

    Këtë të drejtë të grave e mbron edhe Ligji i familjes dhe Ligji për të drejtën pronësore, por ajo ka pranuar se asnjë nga këto ligje nuk respektohet në Kosovë.

    E kjo, për sociologen Halimi është mjaft shqetësuese sepse nuk ka të bëjë vetëm me sistemin patriarkal.

    “Njëri nga faktorët kyç pse femra sot nuk ka të drejtë të trashëgimisë së pronës është tradicionale qe e kemi ne si shoqëri, duke filluar nga familjet tona, shkolla, e deri tek shteti i cili ka të drejtë të ndërhyj në familje për të ndryshuar këto çështje ku në këtë drejtim nuk është duke bërë asgjë”, ka thënë Halimi.

    Përkundër faktit dhe punës së vajzave nga Drenasi, sipas panelistëve, qasja e të rinjve në lidhje me këtë temë është ende tradicionale, pikërisht për faktin se tekstet shkollore, janë të zhytura në rrëfime tradicionale për familjen dhe barazinë në familje.

    “Çka ka ndikuar në shoqërinë tonë që kjo temë të jetë mjaft problematike është edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, ku femrës nuk i është lejuar e drejta e pronës. Arsyeja edhe pse ato janë të varfra nuk kanë të zhvilluara biznese mund të themi se ndikon edhe kjo çështje”, ka thënë Halimi./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark