Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka cilësuar moment të vështirë largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Vuçiq ka thënë se tani është e rëndësishme që të sillen me përgjegjësi dhe seriozitet.
“Pas 10 vitesh serbët kanë marrë vendim që të largohen nga institucionet e Prishtinës. Historitë se po e bëjnë me urdhër të dikujt nga Beogradi nuk janë reale, ata kurrë nuk kanë dashur t’i shikojnë realisht problemet me të cilat ballafaqohen serbët”, deklaroi Vuçiq në emisionin “Hit Tvi”, përcjell Insajderi.
Presidenti serb deklaroi se gabimi më i madh që Serbia ka bërë, është zhvendosja e bisedimeve me Kosovën në Bashkimin Evropian.
Tutje, ai ka deklaruar se 20 herë i ka penguar serbët të dorëhiqen, mirëpo këtë herë ishte e pamundur pasi “presioni ishte i madh”.
“Tërheqja nga institucionet duhet të ndodhte sepse serbët shumë herë donin të largoheshin por unë i luta që të mos e bëjnë këtë dhe i falënderoj që i kanë përballuar presionet. Të paktën 20 herë i kam penguar ta bëjnë këtë. Dhe më pas erdhi muaji qershor, barrikadat, atë natë mund të kishte gjakderdhje, shqiptarët po planifikonin ta pushtonin veriun”, ka deklaruar Vuçiq duke u viktimizuar.
Ftesën e kryeministrit Albin Kurti për t’u rikthyer serbët në institucione, Vuçiq e ka quajtur “truk të pistë”. /Insajderi