Presidenti Hashim Thaçi duke folur për reforma zgjedhore, në takimin që po zhvillohet pa praninë e partive opozitare, ka përmendur disa propozime për ndryshim si pragu zgjedhor, numri i deputetëve dhe zgjedhjen e presidentit.
Thaci ka thënë se mund të ketë lëvizje edhe në zonat zgjedhore, kalimi nga një zonë në disa të tilla, por se ky do të ishte proces më i vështirë për shkak të ndryshimeve kushtetuese.
“Sa i përket pragut zgjedhor është diskutuar që ai të mbetet në 5 për qind, apo të ndryshojë në përputhshmëri me vullnetin e partive politike. Pragu siç është i favorizon partitë më të mëdha, ndërsa ulja e tij do t’u mundësonte partive më të vogla që të fokusohen në zona zgjedhore”, tha ai.
Ndërkaq për numrin e deputetëve Thaçi ka deklaruar se mund të ketë zvogëlimit të numrit nga 120, në 100 ndërsa opsion tjetër ka prezantuar shtimin edhe të dy deputetëve të komuniteteve tjera.
Thaçi ka thënë që ekzistojnë dy mundësi për të ndryshuar formë e zgjedhjes së Presidentit, në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli dhe për të evituar interpretimet e panevojshme dhe krizat politike që presidenti të zgjedhet përsëri nga Kuvendi, “por të ndryshohen procedura”. /Insajderi.com