×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Propozimi franko-gjerman, propozimi “fantom” për krerët e shtetit të Kosovës

    Insajderi
    30 November 2022 - 11:12

    Shkruan: Zelfije Zeneli

    Pas një kohe të gjatë që dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e ka karakterizuar “status-quoja”, ky proces ka hyrë në një fazë tjetër. Nga të dy shtetet po kërkohet dinamikë më e madhe për të ecur drejt të arriturave konkrete që do të çonin drejt një marrëveshjeje finale. Këtë po e bën secili emisar i posaçëm për Ballkanin Përëndimor, edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe nga shtetet evropiane. E, në veçanti, rezultate të shpejta po kërkohen sidomos nga emisari i posaçëm Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Thirrje direkte për përparime në dialog, pati edhe nga udhëheqësit e dy vendeve me më ndikim të BE-së, Francës dhe Gjermanisë. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, ishin mjaft konkret në kerkësen e tyre adresuar kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, qysh në fillim të shtatorit të këtij viti. Dy liderët e shteteve të fuqishme evropiane kërkuan vendosmëri, gatishmëri e përgatitje nga dy liderët ballkanas, për t’u përballur me vendime të vështira.

    Krahas këtyre deklaratave publike nga Macron dhe Scholz, në media filluan raportime se Franca dhe Gjermania, kishin përgatitur dhe njoftuar Kosovën e Serbinë me një propozim për zgjidhjen e kontestit historik mes dy vendeve. Kjo për të mundësuar normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve të tendosura historikisht.

    Derisa përmbajtja e një propozimi të tillë nuk u pa në media, që nga momenti kur filloi të flitej për të, liderët e institucioneve kosovare hezituan të flasin e asessi ta pranojnë ekzistencën e tij.

    “Qarkullojnë dokumente të ndryshme, por unë besoj se nuk është as e dobishme as e drejtë, që unë t’i komentojë ato; dokumente të cilat nuk kanë autorë, por bëhen për të matur pulsin e politikanëve dhe të qytetarëve”, ishte përgjigjja e kryeministrit Albin Kurti, kur ishte pyetur nga gazetarët. Ngjashëm ishte shprehur edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila kishte thënë se ka lloj-lloj insinuatash e dezinformatash lidhur me atë se çfarë po kërkojnë ndërkombëtarët nga Kosova sa i përket dialogut.

    Derisa në Kosovë, krerët e institucioneve më të larta shtetërore linin përshtypjen sikur po flitej për një dokument fantom, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, qysh me 8 tetor kishte pranuar ekzistencën e propozimit franko-gjerman. Madje ai ishte shprehur specifikisht se çfarë i kërkohet shtetit të tij nga propozimi i nxjerrë nga dy ndërmjetësueset kryesore në procesin e dialogut.

    Nga pala kosovare, një ditë më pas, ishte ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, që për herë të parë konfirmoi se ekziston një dokument i tillë, por pa dhënë detaje. E, tek dy ditë më vonë se presidenti serb, edhe kryeministri kosovar Albin Kurti, pranoi për herë të parë ekzistencën e një propozimi të tillë, duke mos u lëshuar shumë në detaje gjithashtu, por duke potencuar se iniciativa franko-gjermane ka për qëllim t’i jape me shumë kompetenca në dialog emisarit të posaçëm për këtë proces nga BE-ja, Miroslav Lajçak.

    Ani pse për trajtimin e këtij propozimi sikur të ishte një “non paper” liderët kosovarë ishin arsyetuar duke u thirrur në nevojën për të ruajtur konfidencialitetin rreth tij, edhe pasi u pranua se ai ekziston, deklarimet e tyre sa i përket përmbajtjes (ani pse pa dhënë shumë detaje), ishin mjaft konfuze. Numri dy i ekzekutivit, Besnik Bislimi, kishte thënë se propozimi franko-gjerman ishte me afër qëndrimeve të Serbisë sesa të Kosovës, derisa pak ditë më vonë kryeparlamentari Glauk Konjufca kishte deklaruar se i njëjti propozim është i favorshëm për palën kosovare dhe se është vështirë t’i thuhet “jo” të njëjtit. 

    Tashmë, është e qartë se propozimi franko-gjerman përveçse nuk është “fantom”, dhe se ai do të jetë pjesë e tryezës së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ani pse përmbajtja e të njëjtit nuk është ende e ditur detajisht. Në anën tjetër, qëndrimet e palëve vazhdojnë të mos jenë ende të qarta në kuptimin e pranueshmërisë së tij. Ngjashëm mbetet e paqartë nëse BE, e përkrahur edhe nga ShBA, do ta ketë fuqinë për ta dinamizuar procesin e dialogut dhe për të sjellë në dialog sa më parë dy kryenegociatorët e dy shteteve.

    Në gjithë këtë mes me më shumë të panjohura sesa të njohura, qartësisht mund të shihet mungesa e transparencës së Qeverisë në zhvillimet rreth procesit të dialogut. Shembull tipik i kësaj është qasja në raport me inciativën franko-gjermane. Sado që terri informativ që në krye të herës rreth kësaj nisme mund të intepretohet edhe si strategji për mbarëvajtje të procesit, sjellja e tillë e qeveritarëve shkakton shumë huti dhe humb besueshmërinë në proces. Dhe kjo gjithsesi nuk i shërben dialogut. As idesë për një marrëveshje finale.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark