×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Protesta për mësim!

    Insajderi
    12 October 2020 - 15:31

    Nazim Rashidi

    S’mundem dhe s’dua ta besoj se arsimtarët tanë s’janë vigjilentë ndaj situatës, ku është e qartë se mësimi veç online do mbahet në muajt në vijim, por në ato forume prindërish u sugjerua dhe protesta, nëse mësimi nuk mbahet dot, qoftë për shkak të internetit qoftë për shkak të papërgjegjësisë. Do ishte shkatërruese të ndodhte kjo. Prandaj apel tek të gjithë, dhe përgjegjësi tek mësimdhënësit. Se nga protesta për mësim fizik do protestohet se s’ka mësim. Kjo do ishte humbëse…

    Pandemia do jetë ngjarja dominante edhe në periudhën në vijim. Virusi korona dhe sëmundja kovid 19 do jenë mes nesh edhe më fortë. Do humbim njerëz të afërt, siç edhe ka ndodhur dhe çështja është si do sillemi, do vijojmë të “mësohemi” me humbjet për shkak të pakujdesisë dhe mosbesimit, apo do jetojmë me vetëdijen për kujdes.  Ka rëndësi ky diskutim sepse natyra njerëzore nuk është e mësuar pa komunikimin, sidomos Mesdheu s’mundet pa përqafimet e puthjet, pa pijet e kafetë, por diskutimi duhet jo vetëm për shkak të anës sociale, por edhe për shkak të efekteve që do lë sidomos tek fëmijët dhe arsimimi i tyre. As pandemia e as virusi nuk do zhduken në muajt në vijim sipas shkencëtarëve, ky fakt duhet përballur. Duhet përballur seriozisht.

    Dhe shikoni çfarë ndodh në botë: Në Brazil rastet e të infektuarve kanë kaluar 5 milion njerëz. Brazili bashkë me Indinë dhe SHBA-të janë vendet më të prekura nga kovidi.  Pikërisht në SHBA pandemia do jetë fushëbeteja kryesore për zgjedhjet presidenciale. Në debatin mes kandidatëve për zëvendës presidentë pikërisht kjo situatë ishte fjala kryesore mes kandidates demokrate Kamala Harris dhe Zëvendës presidentit Mike Pence.  Në Bruksel të Belgjikës të mërkurën u urdhërua mbyllja për një muaj e bareve dhe kafeneve për shkak të rritjes së madhe të infektimeve. Dhe ndër të rinjtë është numri më i madh i infektimeve.  Po ndër të rinjtë.

    I përmend disa nga këto njoftime për të dhënë një perspektivë të situatës nëpër botë dhe ne nuk mund të sillemi me mendësi ishulli se sëmundja do na anashkalojë.  Të gjithë, duke përfshirë dhe veten, krijojmë lehtësi, kemi sens çlirimi, takohemi mes miqsh, por alarmi për kujdes tashmë duhet të jetë më i madh.  I them të gjitha këto sepse shoh protesta të ndryshme sidomos të të rinjve që insistojnë për mësim me prezencë fizike. S’ka dilemë se ajo është zgjidhja më e mirë. S’ka dilemë se atë e duan të tërë.  Por realiteti është krejt tjetër. Mbështes nismat fuqishëm dhe gëzohem kur shok aktivizëm për arsim më të mirë. Por tashmë protestat duhet të kenë fokus tjetër: Cilësinë e mësimit. Hiqeni nga mendja mundësinë e prezencës fizike. Nuk do ndodhë. Masa të tjera kufizuese shumë shpejt do prezantohen edhe tek ne, nëse marrim për bazë atë që ndodh nëpër botë. Prandaj ajo që duhet bërë është një përqendrim dhe mirëkuptim si të kalohet pandemia pa pasoja të mëdha, sidomos tek gjeneratat shkollore.

    Kjo nuk është shaka. Dhe nuk mundem e mos ta përsëris e mos të ngre alarmin se do mbesim si popull, si shtet të cunguar, nëse zhvillimi i atyre që do të duhet të na zëvendësojnë do mbesë prapa. Prapa me veten e tyre e prapa sidomos me botën. Këtu roli i mësimdhënësve është thelbësor.  Vetëm para pak ditësh ishte dita ndërkombëtare e mësuesit. Nuk kishte mesazh këtu e gjithandej që nuk theksonte rëndësinë e mësuesit, peshën e tij. Por ky profesion merr peshë edhe më të madhe në këto kohëra. Shkrova për këtë edhe herën e kaluar. Për gjithë mirëkuptimin që duhet të kemi të gjithë me sfidën që ata do të përballen.

    Por më duhet të theksoj këtë herë edhe mungesën e përgjegjësisë që kam frikë se do shfaqet. Sfida me mësimin online nuk duhet të mbesë tek lehtësia e përgjigjes të mësuesve “s’ka internet”, apo “nuk kemi dijeni teknologjike”. Bëhet fjalë për një përpjekje të pazakontë që duhet të vijë prej tyre. Si mjekët, si stafi mjekësor që ndodh me orë të tëra të punojnë në mbrojtjen e shëndetit. Mësimdhënësit duhet ta kuptojnë se ata duhet të mbrojnë zhvillimin. Ose më mirë thënë, duhet të pengojnë përhapjen e moszhvillimit.  E shkruaj këtë tekst, i nxitur edhe nga disa prindër, që në disa forume shprehin shqetësim se mësimi në këtë formë, me problemet teknologjike, internetin, mësuesit (ata që me lehtësi gjejnë arsye të evitojnë punën, jo të gjithë) do lënë fëmijët pa dijeni.

    Realisht ky është një shqetësim alarmant, dhe shkon përtej shqetësimit prindëror, që natyrshëm dëshiron kushte dhe zhvillim të fëmijëve të vet, bëhet fjalë për një krizë të madhe shoqërore pasojat e të cilave do jenë me dekada.  Sërish pyetja bazike: Ç’duhet bërë?  Pa diskutim që mësimdhënësit s’janë fajtor për të gjitha situatat. Por edhe qetësisht të marrin situatat nuk ka kuptim. Nëse s’ka internet në shkolla, të ngrihet zëri. Drejtorët që janë zgjedhur në poste me propozime partiake, duhet të ngadhënjejnë përtej shqetësimeve “banale” se do mërzisin shefat partiakë, dhe të alarmojnë kur mësimi nuk zhvillohet për shkaqe teknike.

    Po aq duhet të jenë vigjilentë për papërgjegjësinë e atyre që nuk do mbajnë orët. Ne jemi tetor. Mësimi në kushte normale do duhej të kishte filluar në shtator. Nxënia është aq vonë, ndërkohë ka shkolla që mësimi ende nuk zhvillohet. S’mund të heshtet për këtë situatë. Të gjithë punonjësit në arsim duhet të alarmojnë kur ndodhin vështirësi. Ne të gjithë jemi në këtë sfidë, dhe të gjithë duhet të ndihmojmë në tejkalimin e situatave, por jo të fshihet papërgjegjësia pas pandemisë. Mësuesit që kanë marrë rrogat gjithë këto muaj, pritet nga ata tani të tregojnë një solidaritet më shumë, ndonëse nuk janë fajtorë, por do duhet të kuptojnë rolin specifik që rrethanat ua kanë ngarkuar.

    S’mundem dhe s’dua ta besoj se arsimtarët tanë s’janë vigjilentë ndaj situatës, ku është e qartë se mësimi veç online do mbahet në muajt në vijim, por në ato forume prindërish u sugjerua dhe protesta, nëse mësimi nuk mbahet dot, qoftë për shkak të internetit qoftë për shkak të papërgjegjësisë. Do ishte shkatërruese të ndodhte kjo. Prandaj apel tek të gjithë, dhe përgjegjësi tek mësimdhënësit. Se nga protesta për mësim fizik do protestohet se s’ka mësim.

    Kjo do ishte humbëse…

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark