×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Protestat janë të pashmangshme”, Teutë Rrusta thotë se Kurti e pranoi “në mënyrë eksplicite” Asociacionin

    Insajderi
    02 February 2023 - 16:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shpalosjen e “gjashtë kushteve” nga Kryeministri i Kosovës në lidhje me zbatimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, anëtarja e Partisë Socialdemokrate Teutë Rrusta e sheh si konfirmin eksplicit se ky Asociacion po shkon drejt implementimit.

    Rrusta në një prononcim për Insajderin thotë se vetëm një gjë mungoi në deklarimin e Albin Kurtit sot në Kuvend, “vetëm data dhe dita e shpalljes së Asociacionit dhe Asociacionit plus, edhe me autonomi të veriut”.

    “Lajmi është që Kryeministri për herë të parë në mënyrë të shkoqitur se Asociacioni do të bëhet. Tash nuk jemi më duke folur se a do të ketë Asociacion ose jo, tash kemi kaluar drejt zbatimit, kemi një zhvendosje ku po flasim për kushtet për ta bërë Asociacionin, drejt implementimit”, u shpreh ajo.

    “Sikur Kryeministri ta kishte me të vërtetë zhbërjen e Asociacionit, këtë do ta bënte përmes Kuvendit, Marrëveshjen e 2013’ës. Kjo nuk po ndodh, për më tepër, ky herë po i qet disa kushte, herë disa tjera, lajmi sot është se ai e pranoi në mënyrë eksplicite”.

    Madje, Rrusta paralajmëron edhe organizimin e protestave në kundërshtim të një ndarjeje të tillë etnike çfarë parashihet nga ky Asociacion.

    “Protesta jo vetëm që do të ketë, ato janë të pashmangshme, përderisa në horizont e kemi një rrezik për ndarje etnike në Kosovë, një ndarje e një rritje të nacionalizmave, këndej dhe andej kufirit, me patjetër duhen intervenime siç është aksioni dhe protesta”.

    “Çfarë i mungon deklaratës së Kryeministrit sot, është vetëm data dhe dita e shpalljes së Asociacionit dhe Asociacionit plus, edhe me autonomi të veriut”, tha Rrusta.

    Cilat ishin kushtet e Kurtit për pranimin e Asociacionit?

    Që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe i dakordësuar më 19 prill 2013, të konsiderohet, Qeveria e Kosovës i ka gjashtë kushte, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raporton Insajderi.

    “Sa i përket Marrëveshjes së 19 prillit në Bruksel, ky është qëndrimi im dhe qeverisë. Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe i dalur në parim nga Marrëveshja e Brukselit Thaçi-Daçiq apo Marrëveshja e Parë e Parimeve siç njihet, si një mekanizëm i tillë mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës me këto kushte”, tha ai.

    “Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi në RKS. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik. Duhet të ndërrojë emrin. Nuk mund të mbartë asnjë pushtet publik dhe ekzekutiv. Duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Reciprocitet në të drejtat e pakicave kombëtare mes Kosovës dhe Serbisë, sipas modeleve evropiane”.

    “Para vendosjes së Asociacionit strukturat ilegale në Veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes finale dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuar në raporter e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.Presidenti i Serbisë i tërheq letrat dërguar pesë shteteve mosnjohëse”, tha Albin Kurti./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark