Thirrja e një proteste popullore nga ana e partive opozitare, festuesit e përvjetorit të tetë të pavarësisë do t’i detyrojë t’ua lëshojnë sheshet protestuesve të pakënaqur me Republikën.
Tri sheshet kryesore në Prishtinë të mërkurën do të shpaguajnë investimet që janë bërë në to. Brenda disa orëve, ato do të shfrytëzohen për festë dhe protestë.
Më 17 shkurt, kur Kosova feston tetë vjetorin e shpalljes së pavarësisë, tri partitë e bllokut opozitar – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën – kanë thirrur një protestë, që sipas tyre do të jetë ndër më masivet të mbajtura që nga paslufta.
Por, caktimi i protestës në datë feste nënkupton që qytetarët edhe një herë nuk do të mund të festojnë në qytet, pas eskalimit në dhunë të protestës së fundit të mbajtur më 28 Nëntor, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, datë që festohet edhe në Kosovë.
Këto parti, të premten kanë bërë vendosjen e dhjetëra pankartave me thirrje për protestë, ndërsa në sheshe nuk shihen askund flamuj të Republikës së Kosovës. Një gjë e tillë ka ngjallur reagimin e qytetarëve.
Muhamet Fetaj, qytetar nga Suhareka i cili disa herë ka festuar pavarësinë në Prishtinë, thotë se është për protestë por është dashur të zgjedhet një ditë tjetër për këtë.
“Ne kemi nevojë për protestë, kemi nevojë për ndryshime, por kjo ka mundur të bëhet edhe ndonjë ditë tjetër,” ka thënë ai. Sipas tij, do të duhej të kishte një organizim nga ana e Komunës së Prishtinës për të shënuar së paku simbolikisht këtë datë.
Kurse në anën tjetër, Saranda Osmani thotë se nuk mendon të dalë për të festuar në sheshet “marrë parasysh edhe se në protestat e kaluara ka pasur dhunë e shkatërrim”.
Protesta pritet të fillojë në orën 14, dhe deri atëherë kjo kohë që do të shfrytëzohet për shënimin e festës. Qeveria e Kosovës ka organizuar një parakalim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, meqë rast trupave pritet t’i drejtohet edhe Presidentja Atifete Jahjaga.
Por, sipas Komunës së Prishtinës, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, thuhet se komuna e ka parë si më legjitime që sheshi ti jepet qytetarëve që po protestojnë.
Fitore Pacolli, shefe e kabinetit të Kryetarit Shpend Ahmeti, dje në televizionin publik ka thënë se komuna nuk është duke e mohuar republikën, por duke e mbrojtur atë.
Komuna ka vendosur që t’ia lë sheshin qytetarëve që po e mbrojnë vendin nga dy marrëveshje të dëmshme për vendin: marrëveshja për themelimin e asociacionit të komunave serbe dhe demarkacionit kufitar me Malin e Zi, ka thënë ajo.
Por, organizata Iniciativa për Progres (INPO) ka thënë se kundërshtimi i dy marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës nuk është arsyeja e vërtete e mos organizimit të shënimit të kësaj feste nga komuna. Kjo sespe, sipas tyre, festa ishte anashakuar edhe vitin e kaluar.
Në anën tjetër, Kryeministri Isa Mustafa ka quajtur caktimin e protestës në datën kur Kosova feston pavarësinë si tentim të zbehjes së festave përvetësim të shesheve për interesa të ngushtë partiake.
“Askush, as vendimet arbritrare për t’ua kufizuar qytetarëve të drejtën për ta shijuar festën më domethënëse të historisë së Kosovës, nuk mund ta zbehë kremten tonë të përbashkët, 17 shkurtin”, ka shkruar kryeministri në llogrinë e tij në Facebook të shtunën.
Që nga ardhja në pushtet e Lëvizjes Vetëvendosje, simbolet shtetërore të Kosovës nuk kanë gjetur shumë vend në kryeqytet. Një flamur i madhi vendosur në hyrje të Prishtinës, tek vendi që njihet si rrethi i madh, është zëvendësuar me atë kombëtar./Insajderi.com