Mungesa e kushteve të punës, mungesa e transportit e më e rëndësishmja mungesa e oksigjenit, janë arsyet që punëtorët e Pallatit të Drejtësisë kanë paralajmëruar protestë për të hënën.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Judikaturës, Asllan Rusinovci.
“Ende nuk e kemi përcaktuar kohëzgjatjen, por të hënën do të kemi një protestë në Pallatin e Drejtësisë, dhe me gjasë do të fillojë nga ora 11:00”, tha Rusinovci për Kallxo.com, raporton Insajderi.
“Unë nuk e kam parë këtë ekspertizën që po përflitet në media, por edhe ekspertizat e kaluara kanë qenë shumë shqetësuese dhe kanë konstatuar se ka rrezik evident për shëndetin e punëtorëve që punojnë në Pallat”, tha Rusinovci.
Ditë më parë, edhe Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, si njëri nga më të zëshmit lidhur me këtë proces, paralajmëroi se nga java e ardhshme mund të ketë shkurtim të orarit të punës por nuk përjashtoi as bojkotimin e punës nga stafi i kësaj gjykate.
Mungesa e oksigjenit në Pallatin e Drejtësisë ishte arsyeja që edhe Gjykata Supreme e Kosovës ditë më parë lëshoi një komunikatë ku shprehu shqetësimin e punonjësve të saj lidhur me këtë problem kritik në këtë objekt.
Mungesa e oksigjenit është një shqetësim i përhershëm për punëtorët që punojnë në këtë Pallat. Për shkak të këtij problemi disa herë janë organizuar protesta dhe greva.
Protesta e fundit u organizua nga gjyqtarët, prokurorët dhe i gjithë stafi administrativ që punon në këtë objekt më 17 dhjetor të vitit të kaluar.