×
  • Lajme
  • Analiza

    Provoi ta fshihte, komentuesit e “shpotitin” ministrin Peci- ia përmendin se i dha subvencion afro 50 mijë euro xhaxhait të Konjufcës

    Insajderi
    04 April 2024 - 14:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka tentuar ta fshehë afërsinë familjare të Glauk Konjufcës me xhaxhain e tij, Bekim Konjufcës, teksa ka promovuar punën e tij në bujqësi. Xhaxhai i Konjufcës është përfitues i një granti prej afro 50 mijë eurosh, gjë që e ka bërë të ditur vetë ministri Peci. Ai s’ka përmendur kurrkund se Bekimi është xhaxhai i Glaukut, mirëpo komentuesit janë siguruar t’ia “qesin ndërmend”.

    Ministri Peci në një postim të para pesë ditëve ka shpërndarë një video duke promovuar punën e Bekim Konjufcës, xhaxhait të Glauk Konjufcës, për kultivimin e specit somborkë dhe domateve.

    “Gjatë 12 viteve të fundit, ka kultivuar 4000 fidanë me potencial për të prodhuar mbi 20 ton domate në kushte të favorshme, të destinuara për eksport”, thuhet në postimin e tij.

    “Për më tepër, ai kultivon edhe specin Somborkë në fushë të hapur prej 2ha, me një rendiment të synuar prej rreth 60 tonë, ndërkaq këtë varietet këtë vit e subvencionojmë nga 500€ në 654€ për ha”.

    “Ky prodhim synohet edhe për tregun e huaj kryesisht në Suedi duke reflektuar angazhimin e tij për të zgjeruar shtrirjen përtej tregut vendas”, përfundon postimi i tij.

    Mirëpo, kjo pjesë s’është që iu ka lënë fort përshtypje audiencës së ministrit Peci. Në postimin e shpërndarë në ‘Facebook’, komentuesit e vendosën theksin tek afërsia familjare e Bekim Konjufcës me Glauk Konjufcën.

    Njëri nga komentuesit ankohet se ai bashkë me vëllain e tij tash e katër vite kanë aplikuar për grante, mirëpo asnjëherë s’i është pranuar kërkesa.

    “Qe 4 vite rresht kom apliku une edhe vllau asnjehere sna e kan pranu Grantin me pergjigjie te kota ,ndersa axhes t Glaukut ja keni thy n rrajt ! Veq vazhdoni …”, ka shkruar një komentues.

    “Faton Peci qa e ka Glaukin ky qe ja ke dhan ket ser. Mos u muno me na shit prralla i kem qit posht kto fore. A nuk pat tjeter perfitus ne lipjan Po Veq ky”, ka shkruar një komentues tjetër.

    “Kallxo ma shkurt te mixha i glaukit se ju veq rrethi i ngush perfitoni se qytetati per juve esht veq numer”, thuhet në një koment tjetër.

    “Qka e ka ky kryetarin e parlamentit konjuvcen minister”.

    “Glauku tka thane a”, thotë një komentues tjetër.

    “Mos. Sjaqit. Flamurin e rugoves. Se. Ky esht vv”.

    “Pse spo flet përfituesi? Po po fshihet ps teje”.

    Lidhur me këtë kanë reaguar edhe nga Partia Socialdemokrate (PSD). Teutë Rrusta, anëtare e PSD’së, aludon se Bekim Konjufca i ka ikur kamerës në videon promovuese që ia ka bërë ministri Peci punës së tij si bujk.

    “Kurrë nuk paskam pas pa që prodhuesi është tu i ikë pamjes. Kur punon drejt'”, ka shkruar ajo në ‘Facebook’.

    Një xhaxha tjetër i kryeparlamentarit ishte rehatuar në institucione me marrjen e pushtetit nga VV’ja. Rabit Konjufca, xhaxhai i Glauk Konjufcës, u pati emëruar këshilltar politik në Ministrinë e Mbrojtjes.

    Insajderi raportoi para gati një jave se balldëska e Glauk Konjufcës është rehatuar me një pozitë në Ministrinë e Ekonomisë. Edona Bajçinca, motra e gruas së kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca është emëruar këshilltare politike e ministres së këtij dikasteri, Artane Rizvanolli. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark