Pse CEFTA është e rëndësishme për Kosovën? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Pse CEFTA është e rëndësishme për Kosovën?

    Insajderi
    13 September 2024 - 08:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Nga një industri e brishtë dhe relativisht e pazhvilluar prodhuese, Kosova sot është burim i produkteve cilësore, të cilat plasohen jo vetëm në tregjet e vendeve të CEFTA-s, por edhe më gjerë, në Bashkimin Evropian, në Shtetet e Bashkuara dhe në shtete të tjera”.

    Kështu shprehet Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, sipas të cilit të qenët pjesë e Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), i ka ndihmuar Kosovës të përmirësojë cilësinë e prodhimeve.

    Palë të Marrëveshjes, e cila synon rritjen e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, eliminimin e barrierave tregtare mes palëve dhe tërheqjen e investimeve, janë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, plus Moldavia, që prej vitit 2006.

    Nënshkrueset e mëparshme dhe themeluese të CEFTA-s janë larguar prej saj, pas anëtarësimit të tyre në BE. Zbatimi i Marrëveshjes është parakusht edhe për vendet e tjera që synojnë integrimin në bllokun evropian, shkruan Radio Evropa e Lire.

    Si u aktualizua CEFTA?

    Emri i saj është përmendur shpesh ditëve të fundit, pas kërkesës që iu bë Kosovës nga i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për heqje të ndalesës ndaj mallrave të prodhuara në Serbi, sepse një gjë e tillë është kundër parimeve të CEFTA-s.

    Në këmbim, diplomati gjerman ka ofruar që Kosova të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj, me fusnotë, dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është bindur.

    Qeveria kosovare i ka ndaluar importet nga Serbia në qershor të 2023-tës, me arsyetimin se ato po rrezikojnë sigurinë e Kosovës, dhe se, përmes tyre, mund të hyjnë edhe armë në vend.

    Megjithatë, autoritetet e Kosovës nuk kanë dalë asnjëherë me ndonjë raport vlerësues se si ka ndikuar kjo masë në nivelin e sigurisë.

    Për Zekën, kjo masë ka goditur interesat komerciale të partnerëve të Kosovës.

    “E kemi konsideruar masë paradoksale, duke marrë parasysh që të njëjtën kohë vijon importi i gjysmë-produkteve dhe lëndëve të para, ndërsa në anën tjetër, mallrat përfundimtare, të cilat në masë të madhe prodhohen nga ndërmarrjet që janë në pronësi të huaj në Serbi – po flasim për kapital amerikan dhe kapital evropian – nuk lejohet të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës”, konsideron Zeka.

    Ai, po ashtu, thotë se përfitimet e Kosovës nga CEFTA janë shumëdimensionale, teksa përmend:

    Përmirësimin e ofertës, ose rritjen e atraktivitetit të Kosovës në sytë e investitorëve të huaj;

    Ndjekjen e reformave ekonomike;

    Ndryshimin radikal në strukturën e eksporteve, në llojet e produkteve dhe në llojet e mallrave.

    Si Zeka, ashtu edhe Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, thonë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet ta shfuqizojë sa më shpejt ndalesën për importet nga Serbia.

    “Kosova duhet t’i heqë këto masa dhe duhet të sillet si një aktore kryesore, si një aktore e rëndësishme dhe e drejtë, dhe e besueshme në tregtinë e përbashkët rajonale”, shprehet Rashiti.

    Në vend të ndalesës, Zeka e Rashiti besojnë se Kosova duhet t’i shfrytëzojë mekanizmat ligjorë të paraparë nga CEFTA, për t’u ankuar për barrierat tregtare që i vendosen asaj nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

    Për ndalimin e importeve nga Serbia, Kosova është kritikuar edhe në raportin e sivjetmë të Departamentit amerikan të Shtetit për klimën e të bërit biznes në Kosovë.

    Aty është thënë se “ndalesa ka shkaktuar konfuzion të madh tek importuesit dhe ka ndikuar negativisht te kompanitë në pronësi të subjekteve të huaja në Kosovë, për shkak të ndërprerjes në zinxhirin e furnizimit”.

    Në Raportin e Progresit për Kosovën, për vitin 2023, Komisioni Evropian ka thënë se ndalesa është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, që përbën marrëveshjen e vetme kontraktuale të Kosovës me BE-në.

    Pse kërkesa po përsëritet tash?

    Rashiti beson se insistimi gjerman qëndron te përgatitjet për takimin e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit – platformë formale e politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit – dhe për marrëveshjet e reja rajonale që synohet të arrihen aty.

    Procesi i Berlinit ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e rajonit dhe në përgatitjen e tij për anëtarësim në bllokun evropian.

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka paralajmëruar se nëse është e nevojshme, vendet e Ballkanit do të ecin përpara drejt bashkëpunimit rajonal edhe pa Kosovën.

    Rashiti thotë se këtë skenar e dëshirojnë disa vende të Ballkanit – Serbia, Bosnja dhe disa elementë brenda Malit të Zi – andaj Kosova nuk duhet të lejojë diçka të tillë.

    “Procesi i Berlinit dhe të gjitha organizatat që kanë rrjedhur nga ai, apo i janë bashkuar rolit të Procesit të Berlinit, janë i vetmi instrument ku Kosova ulet e barabartë me vendet tjera. Kosova duhet, me çdo kusht, të bëjë më të mirën për të ruajtur vendin e saj dhe për t’i shtyrë agjendat e saj”, vlerëson Rashiti.

    Për më shumë, sipas tij, ndonjë dështim eventual i Procesit të Berlinit ndihmon në shfaqjen apo ringjalljen e iniciativave tjera, si Ballkani i Hapur, që është kundërshtuar vazhdimisht nga Kosova.

    Zeka frikësohet për “pasoja të paparashikuara” nga një izolim i tillë ekonomiko-politik i Kosovës, por nuk sheh gatishmëri të Qeverisë për heqje të bllokadës, duke marrë parasysh se zgjedhjet e ardhshme janë afër.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark