Xheneta Uka

Xheneta Uka -

18:36 - 21 Janar 2022

Qeveria e Kosovës që nga fillimi ka kontraktuar vetëm vaksinat që janë të regjistruara në Agjencia Evropiane e Barnave dhe FDA (Agjencia Federale e Barnave), të cilat janë dëshmuar të jenë të sigurta dhe efektive. Mirëpo pavarësisht kësaj, certifikatat e vaksinimi në Kosovë nuk njihen nga shtete e Bashkimi Evropian. Shkak për këtë janë mospërmbushja e kushteve teknike. Kjo situatë po shkakton telashe për qytetarët e Kosovës të cilët vizitojnë vendet e BE-së, shkruan Gazeta Insajder.

D.I qytetare nga Kosova e cila ka vizituar Gjermaninë dhe Francë, para disa ditësh ka rrëfyer për Gazetën Insajderi, për problemet që kishte hasur me certifikatën e vaksinës.

Ajo tregon se si i është ndaluar hyrja nëpër kafene dhe qendra tregtare, pasi që autoritetet franceze dhe  gjermane nuk e njihnin kodin e vaksinës së Kosovës.

“Certifikata e vaksinës nga Kosovë nuk njihej në asnjë nga lokalet apo qendrat tregtare si në Gjermani ashtu edhe në Francë, na është lejuar vetëm opsioni “merr me vete”, tha ajo për Insajderin.

Një tjetër qytetarë ka rrëfyer për Gazetën Insajderin hallin e njëjti që kishte pasur derisa kishte vizituar shtetin e Gjermanisë. 

Edhe pse kishte marrë tri vaksinat kundër Covid-19 në Kosovës, ai thotë se i është pamundësuar qarkullimi i lirë pasi kodi i vaksinës nuk njihej në Gjermani.

“Çfarë shteti i Kosovës është ky kur i detyron qytetarë me i marrë vaksinat e nuk i njihen askund. Kam ardh në Gjermani dhe nuk po me lejohet me hy askund sepse nuk po njihet kodi i certifikatës së vaksinës që e kam marrë në Kosovë”, tha ai për Insajderin.

Gazeta Insajderi ka kërkuar të dijë nga Bashkimi Evropian pse nuk po njihen certifikatat e vaksinimit në Kosovë.

Në një përgjigje me shkrim nga Bashkimit Evropian thonë se shtete anëtare të BE-së mund ta pranojnë certifikatën e vaksinës vetëm nëse përmbajnë të dhënat e verifikuara në bazë të ligjit kombëtar.

Gjatë verifikimit  vlerësohet edhe integriteti i certifikatës dhe nëse ajo përmban të gjitha të dhënat përkatëse.

“Bazuar në qasjen tonë të BE-së, për ata që udhëtojnë nga jashtë BE-së, shtetet anëtare mund të pranojnë certifikata vaksinimi nga vendet jo anëtare të BE-së që përmbajnë të paktën grupin minimal të të dhënave si identifikimin e personit, llojin e vaksinës dhe datën e administrimit të vaksina, bazuar në ligjin kombëtar, duke marrë parasysh aftësinë për të verifikuar vërtetësinë, vlefshmërinë dhe integritetin e certifikatës dhe nëse ajo përmban të gjitha të dhënat përkatëse”, thuhet në përgjigjet e zyrtares së BE-së dhënë Insajderit.

Kosovarët do të hasin edhe me tej me problemin e verifikimit të kodit të vaksinës të marrë në Kosovës, pasi dikutimet BE-Kosovës janë ende duke vazhduar.

Zyrtarja e Bashkimit Evropianë në një përgjigje për Gazetën Insajderi tha se rregullorja e BE-së për Certifikatën Dixhitale për COVID kërkon vlerësimin e përputhshmërisë së certifikatave të lëshuara nga Kosova.

Dhe se për njohjen e tyre janë ende në diskutime teknike autoritete kosovare dhe atë të BE-së.

“Rregullorja e BE-së për Certifikatën Dixhitale për COVID përbën bazën për vlerësimin e përputhshmërisë së certifikatave të lëshuara nga vende jo anëtare të BE-së. Na kanë kontaktuar shumë vende anembanë botës, të interesuara për Certifikatën Dixhitale të BE-së për COVID. Për këtë arsye, nëpërmjet delegacioneve të BE-së, informacione të përgjithshme dhe teknike në lidhje me certifikatën u janë dhënë shumë vendeve të treta. Këtu përfshihet edhe Kosova. Diskutimet teknike janë në vazhdim”, thonë nga BE për Insajderin.

Për problemin që po hasin kosovarët me njohjen e vaksinave për Insajderin kanë folur edhe nga Ministra e Shëndetësisë.

Zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti ka thënë se kjo po ndodhë pasi nuk mund të bëhet verifikimi off-line nga institucionet private.

Ai, tutje shtoi se MSH është duke punuar për përshtatjen e kërkesave të EU për anëtarësim në EU-Gateway.

“Certifikata pranohet nga shtetet mirëpo për shkak se nuk mund të bëhet verifikimi off-line nuk mund të verifikohet nga institucionet private si lokalet e ndryshme dhe restauronte. Ministria Shëndetësisë është duke punuar për përshtatjen e kërkesave të EU për anëtarësimin në EU Gateway”, tha Hoti për Insajderin.

Muaj më parë, Mali i Zi iu bashkua këtij sistemi ndërsa më herët këtë e kishin bërë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Kosova dhe Bosnja ende mbesin dy nga shtete e Ballkanit Perëndimorë që nuk janë pjesë e sistemit digjital të këtyre certifikatave.

Certifikata digjitale COVID-19 është brenda Bashkimit Evropian që nga 1 korriku 2021. Kjo certifikatë u mundëson qytetarëve të BE-së të lëvizin lirshëm në 27 shtetet e bllokut evropian, nëse janë të vaksinuar me vaksinat e autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA)./Gazeta Insajderi/