×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Pse Joe Bideni është personi i duhur për momentin?

    Insajderi
    21 January 2021 - 09:51

    Shkruan: Ines Pohl

    Imazhet e 6 janarit 2021 janë dëshmi tronditëse që flasin për gjendjen në të cilën ndodhen Shtetet e Bashkuara, pas katër vjetësh Donald Trump. Këto imazhe kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive. Jo vetëm të SHBA. Ato nuk do të harrohen më as nga bota. Nxitur nga urrejtja dhe të verbëruar nga teoritë e konspiracionit, idhtarët e presidentit që sapo u largua nga posti, sulmuan vendin ku rreh pulsi i demokracisë amerikane.

    Dy javë më vonë Shtetet e Bashkuara drejtohen nga Presidenti i ri. Donald Trump nuk mund ta ndalte këtë proces pavarësisht gënjeshtrave të sajuara.  Ky lajm është i mirë. Dhe ne të gjithë mund të marrim frymë lirisht për një moment.

    Era e Trumpit nuk ka marrë fund

    Donald Trump nuk është më president i SHBA-së. Por era e tij nuk ka marrë fund me kaq. Vendi që ai la pas është po aq i përçarë sa ka qenë gjatë Luftës Civile të 150 vjetëve më parë. Kampet politike ndodhen përballë njëri – tjetrit të papajtuar. E njëjta gjë vlen edhe për parlamentin. Shumë idhtarë të Trumpit jetojnë në koracën e gënjeshtrave ku i ka futur ai prej kohësh.

    Edhe në politikën e jashtme bilanci i Trumpit është shkatërrues. Aleancat shumëvjeçare janë trazuar, vende që drejtohen nga sisteme diktatoriale apo autokrate si Kina dhe Rusia fërkonin duart nga kënaqësia kur panë sulmin ndaj Kapitolit, në Uashington.

    Joe Biden ka marrë si trashëgimi rrënojat. Kaosin. Dhe pështjellimin e madh ekonomik. Ai merr këtë 20 janar 2021 një Shtëpi të Bardhë, që nuk funksionon dhe nuk është në rregull. Ka javë që kjo superfuqi atomike dhe ekonomike nuk ushtron më aktivitet. Kjo është e rrezikshme për Amerikën, por edhe për aleatët ndërkombëtarë. Sepse një vakuum i tillë mbushet shpejt.

    Kompromise me kundërshtarët politikë

    Nuk ka pasur asnjëherë ndonjë president, që të ketë pasur kaq shumë përvojë sa Joe Bideni. Ai ka 50 vjet që merret me veprimtari politike, duke qenë deputet ka punuar për të gjetur kompromiset që mund të bëhen me kundërsharët politikë dhe duke qenë zëvendëspresident nën Barack Obamën, i ka përjetuar tetë vjet nga afër sfidat që e shoqërojnë këtë post.

    Edhe në fjalimin e parë të mbajtur në postin e Presidentit të 46-të të SHBA-së, Bideni e tregoi qartë këtë cilësi. Ai e prezantoi veten si pajtues. Megjithë masat e forta të sigurisë që e mbajtën popullin në distancë nga kjo festë demokracie, Bideni ishte në gjendje t’i jepte dinjitet momentit të marrjes së postit. Ai është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë. Dhe një cilësi e tillë ka vlera të mëdha në këtë vend që përjetoi kaq shumë humbje imazhi javët e kaluara.

    Kthimi i besimit

    Tek komuniteti ndërkombëtar kthehet sërish besimi. Bideni është deklaruar hapur pro NATO-s si aleancë transatlantike.  Ai është një multilateralist, që e di se Amerika nuk ka asnjë shans e vetme në një botë të globalizuar. Edhe pse kjo nuk do të thotë, që Europa edhe në të ardhmen do të mund të fshihet pas vëllait të madh. Edhe ky president amerikan do të kërkojë nga kontinenti i vjetër më shumë angazhim, edhe financiar.

    Joe Bideni është personi i duhur për momentin. Ekipi i tij përbëhet kryesisht nga profesionistë me përvojë, të cilët janë në gjendje që të ndihen sigurt që ditën e parë të punës në qeveri. Shpresojmë që presidenti i ri të jetë në gjendje të pengojë më të keqen dhe do të gjejë kompromiset që mund të bëhen me republikanët për të filluar më në fund programet e menjëhershme jetike gjatë pandemisë së Coronës.

    Gjetja e një normaliteti të ri

    Por sfida më e madhe do të jetë pas menaxhimit të krizës, çuarja e vendit drejt një normaliteti të ri. Cili është koncepti i qëndrueshëm që i ofron Bideni dhe administrata e tij njerëzve që ndihen me të drejtë të lënë në baltë nga politika? Cili është programi i tij për të luftuar padrejtësitë sociale që bëhen gjithnjë e më të dukshme dhe më të rënda? Cila është oferta e tij për njerëzit që zihen ngushtë gjatë kontrolleve policore për shkak të ngjyrës së lëkurës?

    Joe Biden është president i tranzicionit. Ai e bëri këtë të qartë që në fillim. Por vetëm fjalët pajtuese nuk do të mjaftojnë për ta çuar vendin në një të ardhme të përbashkët.

    SHBA ka nevojë për të krijuar një ide të re për veten. Për të pasur një përgjigje për pyetjen si duan të jetojnë njerëzit e saj në të ardhmen? Çfarë do të thotë në fakt që të jesh “amerikan”? Çfarë roli do të luajnë emigrantët? Çfarë vendi zë SHBA në skenën botërore? Për këto çështje të mëdha të së ardhmes Joe Biden nuk ka përgjigje dhe nuk ka as forcën për të zhvilluar një vizion në një të ardhme të afërt. Kjo është tragjikja e ditës së sotme, pavarësisht lehtësimit që tani në postin e presidentit nuk është më Donald Trump, por Joe Biden.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark