11:44 - 28 Korrik 2022

Shkruan: Korab Gashi

Është normale që të ketë lëvizje të çmimeve edhe te kriptovalutat, siç ka lëvizje edhe në tregjet e tjera. Ka një panikë momentale në tregjet e kriptovalutave, e cila ka ardhur si pasojë e kolapsit të TerraUST dhe pas saj të kriptovalutës Luna, themelues i të cilave është Do Kwon me Terraform Labs.

Mirëpo, edhe ekonomia globale, inflacioni dhe lufta në Ukrainë, e kanë ndikimin e tyre jo vetëm në tregjet e kriptovalutave. TerraUST, e cila është quajtur si e mbështetur për dollarin amerikan, mirëpo përkundër “Stable Coins” të tjerat si USDC, USDT etj, që janë të mbështetura nga dollari amerikan, realisht TerraUST ka përdorur një algoritëm i cili e ka mbajtur në nivelin e 1 dollar në bazë të ofertës së kriptovalutës Luna.

Shumica e investitorëve e kanë kritikuar si shumë të rrezikshme. Pse ka ndodhë rënia është ende e pa qartë, mirëpo ka shkaktuar një dëm të përgjithshëm me rreth 500 milionë usd. Gjithashtu, projekti i Solana Network ka pësuar kolaps 5 herë gjatë vitit 2022, mirëpo është rimëkëmbur. Edhe kjo ka shtuar panikën në tregje ku ka pasur ndikim në tërheqje të investitorëve.

Në cilat kriptovaluta ia vlen të investohet?


Ka shumë projekte interesante që janë duke u zhvilluar. Web3 është një nga temat kryesore në forumet e zhvilluesve, ka shumë projekte të cilat po zhvillohen për Web3. Kriptovalutat të cilat janë të ndërtuara mbi teknologjinë e Web3 janë: Helium (HNT), Chainlink (LINK), Theta (THETA). Këto projekte janë duke ndihmuar më së shumti në zhvillimin e platformës Web3. NFT janë duke u zhvilluar shumë dhe shpejtë. Edhe pse, edhe në tregjet e NFT ka shumë projekte që janë realisht të pa vlera, mirëpo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë artistët, ata që kanë dhunti kreative në art, muzikë dhe gjithçka tjetër kreative, të jenë pjesë e krijimeve digjitale.

Projekte trend për vitin 2022 janë edhe projektet e ashtuquajtura “Move to earn”. Janë duke u zhvilluar shumë plaftorma “Move to earn”, të cilat janë të ndërlidhura me NFT dhe kanë treguar shumë potencial për të ardhmen, ndër to janë MetaGym (MGCN), STEPN (GMT), Step (FITFI).

Çfarë konsiderojmë investim të sigurtë?

Realisht, asnjë investim nuk është i sigurtë, aq më pak në tregjet e kriptovalutave. Mirëpo, për të gjithë ata që janë të interesuar të investojnë në projekte të kriptovalutave, ka shumë mundësi për investime. Ka shumë projekte interesante, mirëpo ka më shumë projekte që janë vetëm skema piramidale, mashtrime etj.

Si t’i dallojmë mashtrimet?

Ka shumë mënyra për t’i dalluar ato. Para se të investohet në një projekt (kriptovalutë) është mirë të hulumtohet, të dihet se çfarë projekti është, cila është idea e cila po zhvillohet, kush janë zhvilluesit dhe a janë vërtetë ata. Të gjitha projektet (kriptovalutat) përveç webfaqeve informuese, përdorin edhe rrjete sociale si Twitter, Reddit, Discord, Telegram ose të tjera.

Në bazë të aktiviteteve, njerëzve të involvuar, e investitorëve, mund të vërehet se sa serioz është projekti, edhe nëse ne si investitorë mund të mos e kuptojmë saktësisht atë.

Të gjitha projektet e kanë një “Whitepaper”, të cilën e përdorin për të përshkruar rrugëtimin e projektit dhe aty mund të informohesh për çdo gjë. Forumet dhe rrjetet sociale ndihmojnë shumë gjithashtu.

Ndërsa, për të gjithë ata që nuk kanë kohë të përcjellin të gjitha këto më lartë, mund të fokusohen tek Bitcoin, Ethereum, Binance, Cardano, Solana dhe projekte tjera, të cilat kanë tashmë asete mbi 1 miliardë dollar. 

*Korab Gashi ka një përvojë të gjatë në bankat komerciale si Business Analyst, ndërsa së fundmi punon për kompaninë amerikane Donnelly Tax Law si Crypto Tax Analyst. Kompania Donnelly Tax Law, me bazë në Houston, Texas, është kompani e kontabilitetit e cila është e specializuar në kalkulimin e taksave për “Crypto Traders”.