Dikur tregues i rinisë, fytyra natyrale duket se tashmë nuk tërheq më. Përkudrazi, makiazhi, edhe nëse është i lehtë e bën fytyrën më tërheqëse. Ky është rezultati i studimit të kryer nga një institut për kërkimet dermatologjike në Hamburg, Gjermani.
Studiuesit kanë mbajtur nën vëzhgim efektet e fytyrës së kuruar dhe asaj natyrale të 27 grave nga 35-50 vjeç, fotot e të cilave iu dhanë 35 meshkujve dhe 35 femrave për të dhënë mendimin e tyre.
Fytyrat e femrave ishin fotografuar fillimisht pa makiazh, më pas pasi kishin pastruar fytyrën me një tonik dhe në fund me një fondatintë të lehtë.
Fytyrat e lyera kanë marrë më shumë vlerësime në krahasim me ato natyralet. Ndërsa fytyrat e pastruara me tonik janë cilësuar më pak tërheqëse, madje edhe në krahasim me fytyrat natyrale.
Studimet e mëparshme kanë treguar efektet pozitive që kanë tek meshkujt i kuqi i buzëve dhe sytë e lyer, ndërsa studimi i fundit sugjeron edhe përdorimin e fondatintës.
“Shumë studime kanë treguar se produktet kozmetike influencojnë në perceptimin e tërheqjes, duke ndikuar edhe në sjelljen mes partnerëve. Përfitimet janë akoma më të mëdha te gratë në moshë, pasi me një truk të bukur përmirësojnë edhe vetëvlerësimin”, thonë studiuesit.