10:31 - 18 Janar 2021

Nga Mark W.Moffett

Më1 janar 2021, 5 vite pas votimit pro Brexit, Britania e Madhe ndërpreu zyrtarisht lidhjen gati gjysmën shekullore me Bashkimin Evropian. Në referendumin e vitit 2016, shumica e britanikëve zgjodhën me kokëfortësi që vendi i tyre të ishte më vete dhe jo pjesë e një grupi më të gjerë shoqërish.

Ai votim duket se shkoi kundër një tendence më të gjerë të kombeve evropiane që kanë hapur kufijtë e tyre dhe kanë njohur një identiteti që tejkalon, ose fshin, rëndësinë e vetë shoqërive. Me numrin e shoqërive në rënie shekull pas shekulli, ne mund t`a marrim seriozisht pohimin se ndërkombëtarizimi i kulturës,është paralajmërues i një shembje të kufijve të tipit Muri i Berlinit, duke sjellë atë që thoshte dikur sociologu britanik Morris Ginsberg:“Bashkimi i njerëzimit, është një nga tendencat më të qarta në historinë njerëzore”.

Por cilado qoftë marrëdhënia Britanisë së Madhe me Evropën nga këtej e tutje, ndarja aktuale nënvizon se sa shumë identiteti kombëtar diktohet nga psikologjia njerëzore.

Një përmbledhje e literaturës së psikologjisë dhe kërkimit antropologjik mbi shoqëritë, duke filluar nga grupet etnolinguistike të mbledhësve të gjuetarëve e deri tek fiset, komandat dhe shtetet, zbulojnë se një shoqëri universale është në fakt diçka e paarritshme.

Popullsia në të gjithë globin, sot mund të konsumojë Coca-Cola. Ajo mund të shijojë operan italiane, gatimin francez apo qilimat persianë. Por pavarësisht ndikimeve ekzotike, kombet nuk po zbehen, përkundrazi ndaj tyre ka një përkushtim të madh nga ana e qytetarëve të tyre.

Organizatat ndërqeveritare si Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara nuk fitojnë dot angazhimin tonë kryesor emocional, pasi atyre u mungojnë përbërësit që i bëjnë ato realë për anëtarët. BE-ja mund të jetë përpjekja më ambicioze e integrimit shoqëror e konceptuar ndonjëherë.

Megjithatë, pak qytetarë e shohin BE-në si një entitet të denjë për besnikërinë e tyre, në formën që kanë ndaj vendeve të tyre, dhe kjo për disa arsye. Së pari, kufijtë e BE-së janë të papërcaktuar. Në fakt, ato janë subjekt i rishikimit kur shtetet hyjnë ose largohen nga unioni.

Për më tepër, anëtarët e saj kanë një histori konfliktesh mes tyre që daton nga Mesjeta, dhe tashmë ekziston një ndarje nga lindja në perëndim midis kulturave komuniste dhe kapitaliste. Së fundmi, BE nuk ofron asnjë histori të madhe të themelimit, asnjë simbol ose traditë të nderuar, ndaj ka pak kuptim që dikush të donte të luftonte dhe vdiste për Evropën, siç mund të bënte për vendin e tij.

Kjo gjë e bën BE-në një koalicion politik. Unionin e mbajnë në këmbë çështjet financiare dhe ato të sigurisë. E njëjta gjë mund të thuhet për Zvicrën, kombësia e të cilës mbështetet mbi një aleancë të detajuar sociale dhe politike midis 26 komuniteteve lokale, apo kantoneve.

Këto njësi vetëqeverisëse, veprojnë në shumë aspekte si kombe në miniaturë të vendosura në një peizazh malor, që e forcon fiziken dhe autonominë e secilit. “Çdo kanton ka historinë, kushtetutën dhe flamurin e vet, madje disa kanë edhe himnin e vet”- raporton politologu Antuan Shole, dhe si i tillë “të qenit një zviceran, i referohet atij që mund të votojë dhe asgjë më shumë”.

BE dhe Zvicra janë njësi rajonale të mbajtura të paprekura nga nevojat e perceptuara për të përballuar rreziqet nga të huajt, një faktor motivues që u jep të dyve një shans të arsyeshëm suksesi. Një bashkim absolutisht global nuk do të kishte asnjë motivim të tillë, duke e bërë atë shumë më të pasigurt.

Përrallat fantastiko-shkencore si “Lufta e Botëve”, përshkruajnë njerëzimin që vepron si një trup i vetëm kundër një armiku të përbashkët. Por kozmopolitizmi, bindja se njerëzit e ndryshëm të planetit tonë do të ndjejnë një lidhje parësore me racën njerëzore (pra një “qytetar i botës”), mbetet një mirazh.

Dikush supozon se në rrethana të tilla, kombet tona do të shpërbëheshin plotësisht. Por është e vështirë të parashikosh se çfarë do të ngrihej në vend të tyre. Ndoshta lidhjet tona do të bashkohen rreth lagjeve apo rreth atyre që ne i njohim më mirë, me popullsinë globale që do të ndahet në miliona mikro-kombe.

Ne mund të parashikojmë një kthim në shoqëritë e paraardhësve tanë para-njerëzorë, si shimpanzetë dhe shumica e kurrizorëve të tjerë. Fatmirësisht, inteligjenca jonë na jep një farë perspektive për t’u çliruar nga biologjia dhe historia jonë. Kur ndryshimet kanë të bëjnë me atë se si ne i përcaktojmë identitetet tona, çdo ndryshim do të ishte jashtëzakonisht i mundimshëm dhe do të kërkonte më shumë sesa thjesht arsimimin.

Me mendjet që kemi tani, pyetja nëse mjafton një identifikim me njerëzimin apo shoqëritë, varet nga fakti nëse njerëzit duhet të jenë pjesë e një shoqërie për shëndetin e tyre emocional dhe qëndrueshmërinë psikologjike.

“Një burrë duhet të ketë një kombësi, ashtu siç duhet të ketë një hundë dhe dy veshë”- shkroi dikur Ernest Gelner, një mendimtar i shquar mbi nacionalizmin. Të thuash që një njeri nuk ka një shtetësi, atëherë kjo të sjell ndërmend mosfunksionimin, traumën apo tragjedi.

Pa një identitet të tillë specifik të grupit, njerëzit ndihen të margjinalizuar, pa rrënjë, të dobët: pra një gjendje të rrezikshme. E tillë është ndjesia e emigrantëve që kanë humbur lidhjet me tokën e tyre amtare,vetëm për t’u përballur me refuzimin nga vendi i tyre i ri.

Shoqëritë dhe ndryshimet që na veçojnë nga njëri-tjetri, janë këtu për të qëndruar, duke nënkuptuar kufijtë midis njerëzve në mendjet tona, dhe duke vendosur kufijtë fizikë midis nesh, në mbarë botën. Megjithatë, ne ende mund të synojmë një botë më paqësore dhe më të drejtë. Gjithçka nis me vlerësimin e dallimeve tona.

Marrë me shkurtime nga “Nautil” – Bota.al