“Miqësitë nuk janë thjesht për ata me të cilët ulesh në autobusin e shkollës apo luan në skuadrën e futbollit në fëmijëri. Ato janë një element kryesor i përvojës njerëzore”, thonë ekspertët
Por krijimi dhe ruajtja e miqësive të thella dhe kuptimplota si të rritur është e vështirë, veçanërisht për burrat, sipas studimeve.
Më pak se gjysma e burrave raportojnë se janë të kënaqur me miqësitë e tyre dhe vetëm rreth 1 në 5 prej tyre kanë marrë mbështetje emocionale nga një mik gjatë javës së fundit, krahasuar me 4 në 10 gra, sipas një ankete të vitit 2021 nga qendra e anketimit “American Life”.
Dobësimi i miqësive mes burrave fillon rreth moshës së adoleshencës së mesme dhe të vonë dhe bëhet më i theksuar në moshën e rritur, tha Judy Yi-Chung Chu, e cila jep një kurs mbi zhvillimin psikologjik të djemve në universitetin “Stanford”.
Gjithashtu, ata që mbajnë miqësi me burra të tjerë, shpesh raportojnë se kanë nivele më të ulëta të përfshirjes emocionale sesa gratë.
“Djemtë nuk lindin të shkëputur emocionalisht; ata bëhen të tillë,” tha Dr. Niobe Way, një kërkuese dhe profesoreshë e psikologjisë së zbatuar në universitetin e New York.
“Studimet kanë treguar se miqësitë e ngushta mbrojnë shëndetin tonë mendor dhe fizik”, shtoi ajo. Dhe burrat që u japin përparësi këtyre raporteve shoqërore po luftojnë kundër një prej gjërave më të dëmshme për shëndetin njerëzor – vetminë”, tha Dr. Frank Sileo, një psikolog nga Ridgewood, New Jersey.
“Ajo që burrat rrezikojnë të humbasin është ndjesia e të mos qenit vetëm në botë ose të mos qenit vetëm në përvojën e tyre jetësore,” tha Sileo, citon Anabel.
“Studimet kanë treguar se “zbulimi i shqetësimit emocional përmirëson mirëqenien emocionale të burrave, rrit ndjenjat e të qenit të kuptuar dhe rezulton në më pak vetmi,” shtoi ai.