Pse Taxhikistani, me shumicë myslimane, e ndaloi shaminë? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Pse Taxhikistani, me shumicë myslimane, e ndaloi shaminë?

    Insajderi
    02 November 2024 - 16:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndalimi i mbulesës së kokës në Taxhikistan shihet si një reflektim i vijës politike që qeveria e presidentit përjetë, Emomali Rahmon, ka ndjekur që nga viti 1997.

    Qeveria e Taxhikistanit miratoi një ligj që ndalon përdorimin e hixhabit, të fundit në një seri prej 35 akteve të gjera të lidhura me fenë. Ky vendim u përshkrua nga qeveria si një masë për “mbrojtjen e vlerave kulturore kombëtare” dhe “parandalimin e supersticionit dhe ekstremizmit”.

    Ligji, i miratuar nga dhoma e lartë e parlamentit, Majlisi Milli, ndalon përdorimin e “veshjeve të huaja” — përfshirë hixhabin, apo mbulesën e kokës që mbahet nga gratë myslimane.

    Qeveria e Taxhikistanit deklaroi:

    “Hixhabet janë një kulturë e huaj dhe një pushtim kulturor. Gratë në këtë vend nuk i mbulojnë flokët!’

    Në vend të kësaj, qytetarët e Taxhikistanit inkurajohen të veshin kostumin kombëtar taxhik. Ata që shkelin ligjin do të gjobiten me një shkallë që varion nga 7,920 somoni taxhikistanase (pothuajse 700 euro) për qytetarët e zakonshëm, 54,000 somoni (4,694 euro) për zyrtarët e qeverisë dhe 57,600 somoni (rreth 5,000 euro) nëse janë figura fetare.

    Ligje të ngjashme të miratuara më herët këtë muaj prekin disa praktika fetare, si tradita shekullore e njohur në Taxhikistan si “iydgardak”, ku fëmijët shkojnë derë më derë për të mbledhur para për festat e Bajramit.

    Vendimi u pa si befasues, pasi ky vend i Azisë Qendrore me rreth 10 milion banorë është 96% mysliman, sipas regjistrimit të fundit në vitin 2020. Megjithatë, ky vendim pasqyron vijën politike që qeveria ka ndjekur që nga viti 1997.

    Shndërrimi i xhamive në çajtore

    Në Taxhikistan, qeveria e presidentit Emomali Rahmon ka pasur për një kohë të gjatë në shënjestër atë që ajo e përshkruan si ekstremizëm. Pas një marrëveshjeje paqeje që përfundoi një luftë civile pesëvjeçare në vitin 1997, Rahmon — që është në pushtet që nga viti 1994 — arriti fillimisht një bashkëjetesë me Partinë e Rilindjes Islamike të Taxhikistanit (TIRP), duke i dhënë një sërë koncesionesh.

    Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga OKB-ja, përfaqësuesit e TIRP-it pro-Sheriatit do të ndanin 30% të qeverisë, dhe TIRP u njoh si partia e parë post-sovjetike në Azinë Qendrore e themeluar mbi vlerat islame.

    Megjithatë, Rahmon arriti të largojë TIRP nga pushteti, pavarësisht se partia ishte bërë më sekulare me kalimin e kohës. Në vitin 2015, ai arriti të mbyllë TIRP përfundimisht, duke e shpallur organizatë terroriste pasi partia dyshohet se mori pjesë në një përpjekje të dështuar për grusht shteti, ku humbi jetën gjenerali Abdulhalim Nazarzoda, një burokrat i rëndësishëm i qeverisë.

    Ndërkohë, Rahmon përqendroi vëmendjen te ndikimet që qeveria e tij i përshkruante si “ekstremiste” ndër qytetarët. Pas ndalimit të parë të hixhabit në institucionet publike, përfshirë universitetet dhe ndërtesat qeveritare, në vitin 2009, regjimi në Dushanbe avancoi me një sërë rregullash formale dhe joformale për të parandaluar ndikimet nga vendet fqinje dhe për të forcuar kontrollin e tij mbi vendin.

    Ndërsa nuk ka ndalime ligjore mbi mjekrën në Taxhikistan, raporte të shumta tregojnë se forcat e rendit kanë detyruar burrat që mbajnë mjekra të dendura të rruhen, pasi ato shihen si një shenjë e mundshme e pikëpamjeve fetare ekstreme.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark