Publikohen fragmente nga ditari i burgut i Navalnyt, ja çka shkroi ai - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Publikohen fragmente nga ditari i burgut i Navalnyt, ja çka shkroi ai

    Insajderi
    12 October 2024 - 15:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Disidenti rus Alexei Navalny, i cili ishte kundërshtari kryesor politik i presidentit Vladimir Putin, para vdekjes së tij në shkurt, besonte se ai do të vdiste në burg, sipas kujtimeve të tij nga një ditar i cili pritet të publikohet më 22 tetor.

    Bëhet e ditur se New Yorker botoi fragmente nga ditari i burgut të Navalnyt edhe më herët.

    “Do ta kaloj pjesën tjetër të jetës në burg dhe do të vdes këtu”, shkroi ai më 22 mars të vitit 2022.

    “Nuk do të kem askënd që t’i them lamtumirë. Të gjithë përvjetorët do të festohen pa mua. Nuk do t’i shoh kurrë nipërit e mi”, kishte shkruar opozitari rus.

    Navalny ka qenë i dënuar me 19 vjet burg nën akuzat për “ekstremizëm” në një koloni penale të Arktikut, përcjell Telegrafi.

    Vdekja e tij më 16 shkurt në moshën 47-vjeçare tërhoqi vëmendje të madhe, ku shumë fajësuan Putinin.

    Navalny u arrestua në janar të vitit 2021 pas kthimit në Rusi pasi pësoi një emergjencë të madhe shëndetësore nga helmimi në vitin 2020.

    “E vetmja gjë që duhet të kemi frikë është se do ta dorëzojmë atdheun tonë për ta plaçkitur një bandë gënjeshtarësh, hajdutësh dhe hipokritësh”, shkruante ai më 17 janar të vitit 2022.

    Siç raportohet, ditari i titulluar “Patriot”, do të dalë nga botuesi amerikan Knopf, i cili po planifikon gjithashtu një version rus.

    “Është e pamundur të lexosh ditarin e burgut të Navalnyt pa u indinjuar nga tragjedia e vuajtjes së tij dhe nga vdekja e tij”, shkroi redaktori i New Yorker, David Remnick.

    Në fragmentin e fundit të botuar në revistë, të datës 17 janar 2024, Navalny i përgjigjet pyetjes që i bënë shokët e tij të burgosur dhe rojet e burgut: pse u kthye në Rusi?

    “Unë nuk dua të heq dorë nga vendi im ose ta tradhtoj atë. Nëse bindjet tuaja nënkuptojnë diçka, ju duhet të jeni të përgatitur të ngriheni për to dhe të bëni sakrifica nëse është e nevojshme”, kishte shkruar ai. /Telegrafi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark