×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    “Punët e grave” – Reflektim nga pandemia

    Insajderi
    24 December 2020 - 15:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sabina Kaqinari

    Këtë shkrim ia dedikoj nënës sime Verës.

    Kush mund ta mohojë që viti 2020 nuk është kohë e çuditshme dhe me hapësire për shumë reflektime. Përderisa bombardohemi me lajme për ndryshimet që të gjithë po përballemi si shkak i pandemisë, pabarazia gjinore është thelluar më shumë ku në pah dalin shumë çështje të dhunës dhe padrejtësive në baza gjinore.

    Në botë, gjatë kësaj kohe janë raportuar rritje të dhunës familjare, papunësisë, rroga dispropocionale, përgjegjësitë dhe punët e shtuara në shtëpi, vështirësi qasjeje në shërbimet shëndetësore, braktisje e shkollës në mesin e tjerave.

    Një gjë është e sigurtë: pabarazia gjinore ka rrënjë të thella në shtëpi. Një pjesë disproporcionale të punëve të shtëpisë si gatimi, pastrimi, kujdesi për fëmijët dhe familjarëve tradicionalisht kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përgjegjësi e grave në shtëpi.

    Mbyllja e shkollave, qendrave të kujdesit ditor dhe opsioneve të tjera për kujdes ditor të fëmijëve si pasojë shtojnë peshën e punëve që gratë, nënat dhe vajzat priten t’i marrin si përgjegjësi kryesore dhe shpeshherë pa ndihmë të bashkëshortit ose partnerit.

    Sipas një raporti te UN Women (Whose Time to Care2020) , gratë përballen me një intensitet shumë më të madh të detyrave të lidhura me kujdesin sesa burrat. Njëkohësisht, prindërit marrin më shumë ndihmë nga vajzat sesa djemtë në familje.

    Dhuna ekonomike

    Historikisht puna e grave u zhvlerësua duke e natyralizuar dhe shoqëruar atë me rolin e lindur gjoja të grave. Gjatë kohës që një grua ja dedikon shtëpisë, rritjes së fëmijëve, kujdesit ndaj të sëmurëve, në anën tjetër anëtarët e tjerë të familjes (kryesisht burra) mund ta kenë “kohën cilësore” vetëm për ta duke ju kushtuar studimeve, karrierës, qejfit, udhëtimeve, sportit etj.

    Në një studimrreth punës së papaguar të shtëpisë, shohim se nëse gratë do të paguheshin për punët dhe kujdesin ndaj familjarëve, ato do të kishin të ardhura rreth 10,9 trilionë dollarë në vit. Kjo shumë tejkalon kapitalin total të 50 kompanive të mëdha globale.

    Dhuna ekonomike nuk është vetëm në të ardhura të pabalancuara. Nënat që punojnë nga shtëpia kanë rreth vetëm një (1) orë të lirë pa qenë të penguar nga fëmijët dhe detyrat tjera, në anën tjetër burrat me punë të ngjashme mund të kenë deri në tri (3) orë pa u ndërprerë nga fëmijët në shtëpi. Si pasojë, shqetësues është fakti që më shumë gra sesa burra po largohen nga fuqia punëtore si rezultat i këtyre ngarkesave të punës së kujdesit në rritje. Përderisa të drejtat e grave në tregun e punës janë më të njohura dhe të rregulluara me ligj, në anën tjetër “punët e shtëpisë” qe i presin ato, kalojnë pa u vërejtur.

    Ajo që pandemia ka bërë të qartë është se këto punë nuk janë vetëm të nënkompensuara dhe të panjohura – ato janë të nënkompensuara sepse, historikisht, puna e tyre ende është e konsideruar si e pakualifikuar dhe jashtë ekonomisë së tregut.

    Pra, çfarë do të ndodhte në një situatë ku gratë thjesht ndalojnë së punuari?

    Nëse ende nuk je i/e bindur për sa i përket vëllimit të punës për të cilin gratë kontribuojnë në punë të shtëpisë, atëherë paramendoje ditën prej mëngjesit deri në gjumë pa asnjë punë të kryer nga nëna, gruaja, e dashura, motra ose ndonjë grua tjetër në familje. Si do dukej shtëpia, ushqimi, rrobat, fëmijët, personat për të cilat ato zakonisht kujdesen? Pas një dite, jave, muaji?

    Përmasat e kësaj “ndalese” as nuk do të mund të merreshin me mend meqë kontributi është aq i natyrshëm dhe i padebatuar saqë besohet se gratë janë “të lindura” për këto punë dhe burrat jo.

    Rolet gjinore, kujdesi dhe punët e shtëpisë në kulturën kosovare

    Në librin e saj, Simone De Beauvoir shkruan “Pak punë i ngjasojnë torturës së Sizifit si ajo e punëve të shtëpisë, me përsëritjen e pafund: e pastra bëhet e ndoture ndotura bëhet e pastërpa pushimditë pas dite. Beteja kundër pluhurit dhe papastërtisë nuk fitohet kurrë.”

    Punët e shtëpisë dhe të kujdesit shfaqen si pabarazi e ndërlikuar për t’u organizuar sepse thjesht nuk janë çështje shumë të dukshme, shpesh vetë-menaxhohen, nuk paguhen dhe për këtë arsye është e lehtë të shihen si më pak të rëndësishme edhe në mesin e aktivisteve për të drejtat e grave.

    Për më tepër, shkak është edhe refuzimi i burrave dhe partnerëve për të marrë pjesë në këto aktivitete: ata thjesht nuk duan ta bëjnë këtë pasiqë gratë, të dashurat ose vajzat e tyre i bëjnë për ta, e si pasojë ata nuk shohin asnjë arsye për ndryshim.

    Martesa dhe shtëpia janë elemente të fuqishme emocionale, sociale, kulturore ku shpesh gratë ndjejnë se e bëjnë nga dashuria dhe jo detyrimi ose nevoja. Si pasojë, për shkak të kombinimit të rezistencës së burrave dhe dedikimit socioemocional të grave, mund të jetë e vështirë të bindësh shumë gra dhe burra që punët e shtëpisë duhet të trajtohen si punë të vërteta dhe punë për të dytë.

    Rrugëtimi personal drejt feminizmit thonë vjen në hapa të vegjël, por në rastin tim një hap i madh ka qenë kur kuptova se ende mbaja në “pavetëdije” një peshë se është detyrë e imja të kujdesem për shtëpinë dhe të tjerët vetëm pse jam grua.

    Kujtimet e fëmijërisë dhe nënës time në fshat janë plot punë që dukej që nuk do kishin fund për të. Përderisa shumë mund ta romanizojnë këtë kontribut të nënave, grave dhe vajzave kosovare, në të fshihen rrënjët e një sistemi patriarkal që nuk është i krijuar për mirëqenien e tyre. Arsyeja e këtij shkrimi është se shpeshherë edhe brenda feminizmit, këto gra mbesin në hije.

    Shumë vite më vonë pas shpërnguljes sime, më kujtohet në një bisede me një mike në Bogota, ku pas ndarjes së saj thotë “ai nuk donte një partnere. Ai donte të martohej me një nënë të dytë”.

    A mund të thuhet se kjo është diçka e re për gratë dhe vajzat? Përgjigjja është e lehtë: JO, nuk është. Rolet gjinore dhe stereotipat si pasoje e normave dhe zakoneve vazhdojnë te jenë këmbëngulëse në shoqërinë kosovare. Stereotipi që gruaja është ajo që duhet të kujdeset për shtëpinë, fëmijët dhe të tjerët vazhdon të dominojnë si normë e fuqishme sociokulturore.

    Që nga mosha e re, fëmijëve iu etablohen sjelljet e ndara: për vajza dhe për djem. Dallimet mund të vërehen që nga detyrat shtëpiake, aktivitetet jashtë shtëpisë, edukimit formal, edukimit seksual, në ngjyra, në veshmbathje, në dhurata, në urime etj. Zakonisht vajzat e reja në familje kryejnë më shumë punë “të çikave”, ndihmojnë rreth kujdesit, përderisa djemtë marrin role të ngjashme me baballarët e tyre.

    Ky rol dominues i burrit, dhe roli i varur apo “mbështetës” i gruas mund të vërehet jo vetëm brenda familjes, mirëpo prej momentit që ndezim televizorin, në reklamat televizive, komeditë, muzikën, tekstet, gjuhën diskriminuese, dhe deri tek situatat e përditshme si “hajgaret për gra”, në vende pune, situata sociale, në rrugë, transport, dhe vende të tjera publike dhe private.

    Madje, shumë çifte të reja këmbëngulin se janë të barabartë, ku të dyte punojnë dhe kanë të ardhura të njëjta, megjithatë, kujdesi dhe punët e shtëpive ende mbesin barrë e grave.

    Transformimi fillon në shtëpi

    Transformimi i roleve ka qenë dhe është një ndër format kyçe për luftimin e pabarazisë dhe dhunës në baza gjinore. Në fund të fundit, janë burrat që zgjedhin të mos bëjnë punën “mendore” që të kujtojnë dhe ndjekin nevojat e familjes, të mos kujdesen për fëmijët e tyre, të mos ndërrojnë pelena, të mos lajnë enët, rrobat. Për të rregulluar këtë problem, nuk mund ta injorojmë faktin se problemi i pabarazisë në punët e shtëpisë është edhe problem i vullnetit të burrave.

    Në këtë rast, burrat dhe djemtë duhet të bëjnë zgjedhje më të mira. Ata do të duhej ta zhvillonin një ndjenjë më të madhe të përgjegjësisë dhe sensit moral ndaj grave dhe vajzave me të cilat jetojnë, dhe ata do të duhej në fakt ta vënë atë sens në përdorim. Punët si ndërrimi i pelenave, larja e enëve, më shumë kohë dhe kujdes kur fëmijët qajnë janë disa nga hapat e parë që mund t’i marrin (The Guardian, 2019).

    Hapat e vegjël si edukimi nga detyrat e shtëpisë e shkollës do të ndihmonte që vajzat dhe djemtë të kenë perspektiva më të hapura rreth roleve të gjinive. A nuk kemi të gjithë modele të hershme që i kujtojmë dhe identifikohemi me ata edhe sot?

    Së fundi, sfidimi i përditshmërisë sado i vështirë që mund të duket, ndonjëherë kërkon pak guxim, debat të hapur dhe përkrahje. Bisedoje ma gra të tjera, kërko angazhim dhe përgjegjësi prej anëtarëve të familjes dhe thjesht jepi kohë pushimi vetës kur të nevojitet.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark