Një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arbenit Ahmeti, ka humbur jetën sot si pasojë e një aksidenti të rëndë në vendin e punës.
Sipas njoftimit të KEK-ut, Ahmeti ishte duke kryer detyrat e tij të punës në transportimin dhe zhvendosjen e kabllove.
Menjëherë pas aksidentit janë ndërmarrë veprimet emergjente, ndërsa punëtori është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
“KEK-u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ahmeti, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën të ndjerin”, thuhet në njoftimin e Korporatës.
Nga KEK-u kanë bërë të ditur se organet kompetente janë duke e trajtuar rastin, ndërsa rrethanat e plota të aksidentit pritet të sqarohen në përputhje me procedurat përkatëse.