×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Pushteti e shndërroi në “kameleon”- Top premtimet e Kurtit që zhgënjyen qytetarët

    Insajderi
    22 January 2023 - 16:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Premtimet e politikanëve opozitarë, kundërshtimet, popullizmat, tejkalojnë pothuajse çdo kufi. Ata që nuk e kanë shijuar asnjë ditë pushtetin, japin fjalë të mëdha. Shpeshherë dalin edhe nga vetja. Në ditën që të njëjtit marrin pushtetin, nuk konsiderohen më të barabartë me qytetarët. Restaurante të shtrenjta, veshje firmash, xhipa të blinduar, jetë luksi, janë këto gjëra që i rrethojnë. Të gjitha premtimet bien në ujë..

    Euforia që përjetoi opozitari më i zëshëm i Kosovës, Albin Kurti pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, e shndërroi në një tjetër person. Ngadalë e qetazi, Kurti doli nga petku i opozitarit. Ndryshimin e kishte nisur me një kravat për të përfunduar në xhipa të zi, shkruan Insajderi.

    Le ta nisim nga Flamuri

    Kryeministri dikur nuk pranonte flamurin e Kosovës. Madje e quante ‘flamur lara-lara’.

    S’mund të ecim përpara me atë flamurin lara-lara“- kishte thënë Kurti.

    Por, dëshira për pushtet siç duket e bëri të ndërrojë mendje. Ai është parë me flamur “lara -lara” të vendosur në qafë, duke parë ndeshje futbolli.

     A hoqi dorë Kurti edhe nga Bashkimi Kombëtar?

    Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje një ndër kauzat e saj si parti e kishin bashkimin me Shqipërinë. Lideri i VV Bashkimin Kombëtar e shihte si të domosdoshëm.

    Megjithatë, i njëjti ka deklaruar se Kosova nuk do të shkaktojë luftë të tretë ballkanike që të ndodh bashkimi me Shqipërinë, pra të krijohet Shqipëria e Madhe.

    “Nuk do nisim luftë vetëm për t’u bashkuar me Shqipërinë”– ka thënë Kurti.

    Ndonëse dikur e kërkonte me ngulm, Kurti ka nënvizuar se Kushtetuta e vendit e thotë se Kosova nuk mund të bashkohet me ndonjë shtet tjetër.

    “Lufta” me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit

    Qeveria e Kurtit ua ndaloi pagat grevistëve dhe shumë shërbyesve tjerë civil, kur këta të fundit ishin në grevë.

    Dikur ai kishte thënë se “tek Qeveria ime do ta gjeni partnerin që nuk e keni pasur asnjëherë”. Premtim ky i bërë më 21 nëntor 2019, gjatë fushatës elektorale.

    “Ne duam që sindikatat të forcohen, sepse të drejtat e punëtorëve mbrohen më së miri kur sindikatat janë të fuqishme e sindikatat e fuqishme i mbrojnë punëtoret nga arbitrariteti i punëdhënësit, duke përfshirë edhe shtetin si punëdhënës. Kontratat në vendin e punës, respektimi i orarit, paga minimale, pushimi dhe të drejtat tjera duhet të garantohen nga shteti, por duhet të mbrohen së bashku me sindikatat. Punëtorët janë më të fortë kur sindikatat janë më të organizuara”, deklaronte Kurti i vitit 2019.

    Dikur pro vendosjes së shamisë…

    Bartja e mbulesës për vajzat e besimit islam në shkollat publike vitin që lamë pas u rikthye sërish si temë diskutimi në Kosovë.

    Dhe, megjithëse deklaron se është pro-mbajtjes së shamisë, Kurti ende nuk e ka shfuqizuar udhëzimin administrativ që ndalon uniformën fetare në shkolla, shkruan Insajderi.

    “Ne jemi kundër ndalimit të mbajtjes së mbulesës. Ne insistojmë në atë çfarë ka në kokë e jo mbi kokë”– kishte thënë dikur Kurti në vitin 2017.

    “Ata kanë xhipa të zi, të blinduar e me xhama të errësuar”

    Vite më parë, Kurti si opozitarë, kritikonte pushtetarët e atëhershëm se lëviznin me xhipa që kanë xhama të zi, duke thënë se nuk i preferon këta mekanizma që e ndajnë prej qytetarit.

    “Ju e keni parë se si politikanët kur zbresin te qytetarët, zbresin me xhipa të blinduar, e me xhama të errësuar, ku ai të sheh ty e ti nuk e sheh atë, e nëse del prej xhipit të këqyrë mrrolshum truproja e tij, se truproja e tij e din edhe më mirë se na se qytetarët kanë arsye më shumë më i bë diçka atij politikani..”, kishte thënë Kurti.

    Por, z. Kurti ka harruar zotimet. Kurti jo veç që nuk po iu zbret xhipave të zi. Ai as nuk e hap derën vet. Pret që këtë ta bëjë truproja i tij.

    Skandali i Kurtit në përvjetorin e vrasjes së Ivanoviqit

    Javën që lamë pas, në përvjetorin e vrasjes së ish-liderit serb në të cilin mishërohen krimi e politika, Oliver Ivanoviq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të fundit e portretoi si një pishtar të multietnizmit.

    Natyrisht, kjo me rastin e homazheve për Ivanoviqin ishte vetëm njëra nga shkarjet në gamën e gjerë të cilat po shpërfaqë Kurti.

    Ai dëshmoi se “alarmi” i opinionit publik që shefi i qeverisë së Kosovës ka nisur t’i ‘gëlltis’ parimet që kishte pasur sa ishte në opozite nuk është alarm i rremë, shkruan Insajderi.

    GAZETA INSAJDERI

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark