×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Pushteti i Kurtit tregon dhëmbët, gjobë 1 milionëshe për HIB Petrol’in

    Insajderi
    27 July 2022 - 15:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gazeta Insajderi ka zbuluar se pushteti i Kurtit i ka vendosur një gjobë të lartë korporatës “Hib Petrol”. Gjoba është shqiptuar për shkak të përfshirjes në një skemë kriminale të shmangies nga akciza.

    Përpjekjet disa mujore të shefave të korporatës “HIB Petrol” për t’ia faturuar një ish-menaxheri mashtrimet milionëshe nuk kanë rezultuar të suksesshme.

    Biznesemenët që futen në grupin e më të fuqizuarve gjatë “regjimeve” të kaluara do të përballen me një gjobë të lartë të vendosur nga pushtetit i kryeministrit Albin Kurti. Gjoba peshon rreth 1 milionë euro. Është vendosur nga Doganat e Kosovës. Në muajin qershor të këtij viti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kjo gjobë milionëshe është shqiptuar për shkak të përfshirjës së kompanisë në një skemë kriminale me dy kompani tjera private. Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht për këtë skandal.

    Autoriteteve doganore të Kosoves për muaj të tërë me radhë i dërgoheshin dokumente nga korporata HIB Petrol. Aty shënohej se dokumentetet ishin të nënshkruara nga zyra ndërlidhëse e Greqisë, si subjekt pranues i derivateve të naftës. Importi i naftës për ambasadat, zyret ndërlidhëse e misionet e huaja lirohet nga akciza. Mirëpo këto dokumente ishin të falsifikuara, ka zbuluar Gazeta Insajderi.

    Vlera e naftës që ishte raportuar për nevoja të zyrës greke dhe që ishte shitur në tregun me pakicë kapte vlerën e miliona eurove. Për këtë duhet të paguhej akciza. Llogaritet se HIB Petrol i është shmangur akcizës në vlerë prej rreth gjysmë milionë euro.

    Burimet e Gazetës Insajderi kanë treguar se drejtori i ri i Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu, ka shmangur të gjitha presionet lidhur me këtë rast duke mos komunikuar me asnjë vendimarrës qeveritar.

     “Me të vetmin që ka pasur komunikim ka qenë kryeministri Kurti”, kanë treguar burimet e Insajderit.

    Po ashtu, burimet e Insajderit kanë treguar se korporata HIB Petrol ka nisur që ta paguaj këtë gjobë. I është mundësuar që pagesën ta bëjë me këste. Shqiptimi i kësaj gjobe ka qenë tronditës për drejtuesit e kësaj korporate private.

    Plani i tyre ka qenë që për mashtrimet milionëshe të shmangies së akcizës të fajësohet vetëm ish-menaxheri Fatbardh Xhaferi. Kanë mbështetur versionin se pronarët nuk kanë qenë në dijeni për përfshirjën në skemë kriminale të ish-vartësit të tyre.

    Gjoba e shqiptuar nga Dogana e Kosovës shfuqizon versionin e kësaj korporate. Futë në përgjegjësi ligjore kompaninë e tyre dhe vetë pronarët Ibrahim e Kujtim Bucaliu.

    Heshtja e HIB Petrol ndaj gjobës 1 milionëshe

    Dënimin me 1 milion euro gjobë nuk është komentuar nga drejtuesit e kpmpanisë HIB Petrol. Njësoj ka vepruar edhe vetë insitucioni që i shqiptoi dënimin.

    Lidhur me këtë veprim të shtetit, Gazeta Insajderi ka kërkuar koment edhe nga kompania Hib Petrol.

    Ani pse gazeta i ka pritur për një përgjigje që nga 14 qershori, kjo kompani nuk ka treguar nëse do të ankohet ndaj vendimit. Ajo nuk ka dhënë detaje as nëse e ka paguar gjobën e shqiptuar nga Dogana e Kosovës.

    Detaja rreth gjobës dhe gjetjeve nuk ka dhënë as Dogana e Kosovës. Këtij institucioni Insajderi i është drejtuar me pyetje që nga 20 qershori, por nuk ka kthyer përgjigje.

    Detajet e mashtrimit të madh ndaj shtetit nga tri kompanitë e derivateve

    Pas hetimeve disa mujore të intelegjencës së Doganave të Kosovës, me 19 mars ekipet e doganierëve patën zbarkuar në korporatën Hib Petrol, dhe dy kompanitë e tjera, pasi kishin gjetur se këto kompani ka nxjerrë në shitje për qytetarët derivatet e naftës të parapara për ambasadat në Kosovë.

    Importi i naftës për ambasadat, zyret ndërlidhëse e misionet e huaja lirohet nga akciza. Mirëpo këto dokumente ishin të falsifikuara, ka zbuluar Gazeta Insajderi.

    Zyra ndërlidhëse e Greqisë në Kosovë nuk ia ka nënshkruar kurrë këto dokumente.

    Vlera e naftës që ishte raportuar për nevoja të zyrës greke dhe që ishte shitur në tregun me pakicë kapte vlerën e miliona eurove. Për këtë duhet të paguhej akciza. Llogaritet se HIB Petrol i është shmangur akcizës në vlerë prej rreth gjysmë milionë euro.

    Ngjashëm si HIB Petrol kanë vepruar edhe kompania ‘Fer Petrol’ e ‘Alfa Trade’.

    Alfa Trade llogaritet që ka bërë shmangie prej rreth 100 mijë eurove, ndërsa ‘Fer Petrol’ në vlerë prej mbi 60 mijë eurove.

    Gazeta Insajderi, kishte raportuar se si në këtë aksion ishte arrestuar Fatbardh Xhaferi, menaxheri i kontratave në “Hib Petrol”.

    Xhaferi ishte ndaluar fillimisht, pas dyshimeve “për falsifikim të dokumenteve me qëllim të lirimit nga taksat”.

    Kurse dy të arrestuarit tjerë ishin Hajdar Hajdari pronar i kompanisë ‘Alfa Trade’ dhe Mehdi Gjoka është pronar i kompanisë ‘Fer Petrol’

    Të dy këta biznesmen kanë lidhje të afërta me Partinë Demokratike të Kosovës.

    Hajdar Hajdari është vëllau i Isa Hajdarit, kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së në zgjedhjet e fundit.

    Ndërsa, Mehdi Gjoka nga Drenasi është përfituesi i rregullt i tendereve nga qeverisja e Ramiz Lladrovcit.

    Prokuroria Themelore e Prishtines pati kërkuar masën e paraburgimit për secilin prej tyre. Për Fatbardh Xhaferin e ‘HIB Petrol’ si dhe për drejtuesit e ‘Fer Petrol’ e ‘Alfa Trade’.

    Gjykata Themelore ka refuzuar masën e paraburgimit. Ka vendosur që ndaj treshes të caktohet masa e arrestit shtëpiak.

    Policia e Kosovës, kur kishte arrestuar Fatbardh Xhaferin nga “HIB Petrol”,kishin njoftuar se edhe i dyshuari tjetër që ndodhet ende në arrati ishte Nazmi Kastrati.

    Biznesmeni Nazmi Kastrati, pranari i fimës “Onazis”, kishte rënë në duart të policies në fillim të muajit prill. 

    Sipas burimeve të Gazetës Insajderi, biznesmeni Kastrati ishte i përfshirë në rastin e naftës se kompanisë HIB Petrol, e cila derivatet që kishte futur në Kosovë si të deklaruara për ambasadat e huaja në Kosovë, ua ka shitur qytatarëve.

    Kurse Dogana e Kosovës, njoftonte se këto tri subjekte i kanë shkaktuar dëm shtetit të Kosovës në vlerë prej mbi 600 mijë euro gjatë tre viteve të fundit.

    “Si rezultat është zbuluar lirimi i bazuar ne dokumente te falsifikura nder vite, fillimisht nga keto tri subjekte që kanë deklaruar edhe ndërlidhjen mes vete. Dyshimi ështe se keto subjekte kanë liruar në import derivate duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 600 mijë euro gjatë tre viteve të fundit”, thuhej në njoftimin e Doganës. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark