Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur që të anulojë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të pranuar deçertifikimin për dy kandidatët e pavarur për zgjedhjet në Drenas, Naim Bazaj dhe Rrahim Elshani.
Që të dy kandidatët ishin regjistruar fillimisht si kandidatë të pavarur për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 4 dhjetorit në Drenas, por që të dy më vonë i janë bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka qëndruar në Drenas gjatë këtyre ditëve dhe ka bindur Elshanin e Bazajn që të anulojnë kandidatët e tyre.
Veseli publikoi një fotografi me Elashanin të premten dhe njoftoi se ai do t’i ndihmojë Ramiz Lladrovcit në këtë garë.
Para kësaj, Bazaj kishte bërë kthim dramatik tek PDK-ja. Në ditën kur pritej që ai të mbante tubim me përkrahës të tij për të bërë zyrtare kandidaturën, ai ishte shfaqur së bashku me Veselin ku edhe ishte konfirmuar përkrahja për rivalin e tij Lladrovci.
Bazaj kishte shprehur besimin e plotë se do të fitonte në këtë garë, edhe pa përkrahjen e Partisë Demokratike të Kosovës.
Lidhur me kërkesën e Bazajt për decertifikim nga gara kishte apeluar Nisma për Kosovën./Insajderi.com