Qeveria ka shkarkuar ekipin menaxhues për përgatitjen e Asociacionit.
Vendimi është marrë këtë mëngjes nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Të liruarit nga detyra janë Danijela Vujiçiq, Jelena Boloviq, Igor Kalamar, Dejan Radojkoviq, që sipas kryeministrit Albin Kurti “dëshira e tyre për një Republikë Sërpska e ka shkruar këtë statut“.
Kurti tha mbrëmë se dokumenti, si i tillë, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit.
“Unë kam propozuar një draft-vizion se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet dhe çfarë do të duhej të ishte korniza që e rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”, tha Kurti, duke shfaqur shpresën se ai “do të trajtohet me seriozitet” nga ana e ndërmjetësuesve evropianë të dialogut.
Në këtë dokument të Kurtit thuhet, mes tjerash, se ai do t’u ofrojë mundësi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar po atë vit se disa prej këtyre parimeve nuk janë në përputhje me frymën e Kushtetutës, por ka thënë se, nëse ato harmonizohen, Asociacioni mund të formohet./Gazera Insajderi/