Qeveria e Kosovës ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje për publikimin e një liste me emrat e 12 personave, që sipas kësaj partie janë përgjegjës për montimin e rastit kundër aktivistëve të dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.
Përmes një komunikate për media, qeveria thotë se dënon përpjekjet e ulëta të Lëvizjes Vetëvendosje për linçimin publik të 12 qytetarëve, të cilët ushtrojnë detyra në institucione dhe në medie të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës konsideron se veprime të tilla denigruese, fyese dhe kërcënuese, janë tërësisht të papranueshme në një shoqëri demokratike”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
“Qeveria e Kosovës kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje që sa më parë të distancohet dhe të heq dorë nga veprime të tilla antidemokratike, të cilat cenojnë integritetin personal, dëmtojnë imazhin, nxisin urrejtje dhe mund të rrezikojnë sigurinë e qytetarëve, duke bërë thirrje për veprime anarkike, kriminale dhe vetëgjyqësi”, thuhet në komunikatë.
Përmes komunikatës, qeveria ka ftuar organet kompetente “që të trajtojnë këto veprime të pandërgjegjshme dhe të marrin masa adekuate për sigurinë e personave të etiketuar, për synime të propagandës së ulët politike.”
Në një konferencë për media të enjten, Sekretari Organizativ i partisë më të madhe opozitare, Dardan Molliqaj, prezantoi emrat e personave që sipas tij kanë përgjegjësi në rastin e aktivistëve.
Në këtë listë bëjnë pjesë drejtues të institucioneve publike, sic është drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, drejtori i RTK-së Mentor Shala e të tjerë./Insajderi.com