Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua sot në Shkodër me kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dushko Markoviq.
Siç njofton Qeveria e Kosovës, gjatë takimit të dy kryeministrave u diskutua për çështjet që lidhen me bashkëpunimin bilateral.
Gjatë takimit miqësor, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, dy kryeministrat biseduan për çëshjet që lidhen me bashkëpunimin bilateral si dhe u pajtuan për intensifikimin e përgjithshëm, sidomos të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve.
Kryeministri Mustafa dhe kryeministri Markoviq biseduan edhe për zhvillimet tjera aktuale në rajon.
Mediat lokale, duke iu referuar njoftimeve të mediave nga Shqipëria, bënë të ditur se Mustafa e Markoviq janë takuar sot në një hotel në Shkodër në një takim, sic u quajt, i paparalajmëruar.
Takimi i Kryeministrit Mustafa dhe Markoviq vie në një periudhë të tensioneve në Kosovë rreth një marrëveshjeje për përkufizimin e vijës kufitare ndërmjet dy vendeve, që u arrit më shumë se një vit më parë. Mali i Zi e ka ratifikuar marrëveshjen por Kosova, për shkak të kundërshtimeve me forcë në Kuvend dhe në rrugë të opozitës, e ka tërhequr nga debati i mëtejmë një projekt ligj për ratifikim.
Kryeministri Mustafa nuk ka arritur të mbledhë votat e mjaftueshme në Kuvend për ta kaluar marrëveshjen dhe së fundi ka bërë thirrje për një process të matjes së territorit të Kosovës. /Insajderi.com