Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Zyrën për qeverisje të mirë, të drejta të njeriut, mundësi të barabarta dhe mos-diskriminim, nesër do të jetë nikoqire e një punëtorie për të paraqitur projektin final të strategjisë për përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për vitin 2017-2021.
Strategjia e re përqendrohet në katër fusha kryesore: arsim, punësim dhe mirëqenie sociale, shëndetësi dhe banim. Zbatimi i saj do të duhej të ndihmojë në përmirësimin e gjendjes sociale-ekonomike të këtyre komuniteteve të cenueshme, njofton misioni i OSBE-së në Kosovë.
“Punëtoria do t’i bashkoj në një vend përfaqësuesit e Zyrës për qeverisje të mirë, Platformës së organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave tjera relevante joqeveritare, përfaqësues të komunave të përzgjedhura, organizatave ndërkombëtare që punojnë me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian të cilët do t’i diskutojnë modalitetet e zbatimit të Strategjisë dhe planit të saj të veprimit”, njofton zyra e OSBE-së në Kosovë.
Në këtë ngjarje do të flasin Habit Hajredini, shef i Zyrës për qeverisje të mirë, të drejta të njeriut, mundësi të barabarta dhe mos-diskriminim, Stefano Gnocchi, këshilltar për çështje politike/komunitete i Përfaqësuesit Special të BE-së, dhe Barbara Rohmann, drejtoreshë e Departamentit për të drejta të njeriut dhe komunitete pranë OSBE-së. /Insajderi.com