Qeveria e Kosovës ka inauguruar një objekt të ri në Komunën veriore të Mitrovicës. Me anë të një komunikate për media njoftohet se Ministrja për Dialog Edita Tahiri ka bërë inaugurimin e objektit.
“Ky proces shënon shtrirjen dhe konsolidimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës edhe në pjesën veriore të vendit, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Tahiri, citon komunikata.
Në këtë objekt do t’i kenë zyrat 15 ministri dhe agjenci qendrore që kanë fushëveprimtari lokale, si Ministria e Administratës Publike, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria për Kthim dhe Komunitete, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Administrata Tatimore e Kosovës, Agjencia e Statistikave, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Agjencia për Mbrojtjen e Pyjeve, Agjencia Kadastrave, Agjencia e Arkivave, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Në këto institucione do të përfshihen gjithsej 105 zyrtar të punësuar në këto institucione.
Ministrja Tahiri ka theksuar se pas një periudhe disamuajshe të përgatitjeve intensive të bëra nga Ministria për Dialog dhe Ministria e Administratës Publike si dhe me angazhimin e të gjitha institucioneve dhe në veçanti të mbështetjes së Zyrës së Kryeministrit ka filluar puna e institucioneve qendrore në pjesën veriore të vendit.
Në komunikatën e Qeverisë së Kosovës thuhet se një objekt tjetër i qeverisë do të hapet pas vitit të ri në Komunën e Zubin Potokut dhe një tjetër në Leposaviq.